Redaksia e sportit, Top Channel

Kombëtarja shqiptare fitoi një ndehsje delikate kundër Bjellorusisë, por më shumë se sa dominimi ndaj rivalit, ran ë sy loja e shpejtë me topin dhe rikthimi i disa “veteranëve” si Berisha e Seferi. Ja notat:

BERISHA 6.5 – Rikthim i përulur në portën kuqezi, pasi Sylvinho “e preu në besë” duke e përjashtuar nga kombëtarja. Në pjesën e parë mund të zgidhte më mirë një episod në portën e tij, por më pas vendos rregull dhe dirigjon prapavijën. Lider i heshtur, si djali i madh i shtëpisë që përpiqet të zgjidhë cdo gjë pa rrëmujë.

HYSAJ 7 – Pa ekip rekordmeni kuqezi, por detyrat i bën mirë. Në pjesën e parë bën gjithcka. Rrëmben topa, mbron me vendosmëri dhe dhuron një asist spektakolar për Mucin në golin që vulosi fatet e ndeshjes. I besueshëm.

ISMAILI 7 – Agresiv si në kohët e arta dhe me Gjimshitin e Berishën ka një kimi të jashtëzakonshme. Mbron mirë, por në pjesën e parë vuan hapësirat që lë mesfusha. Në të dytën e ngre stekën dhe nuk lë askënd të kalojë në anët e tij.

GJIMSHITI 7.5 – Mbron mirë dhe fiton penalltinë që solli golin e parë të takimit. Një gol i gatuar nga “sheikët” sepse ai dhe Asllani kanë zgjedhur skuadra arabe për të vazhduar karrierën. I saktë, i zgjuar dhe mjaftueshëm i fortë për të mos i lejuar bjellorusët të vallëzojnë në zonë.

PILO 7 – Kur gjërat shkojnë keq njerëzit mund të merren gjatë me mbiemrin e tij, por kundër Bjellorusisë tregoi nivel të lartë. Shpejtësi lëvizjeje, shpejtësi mendimi dhe mbi të gjitha inkursione interesante. Kur kërkonim pasardhësin e Hysajt, kemi gjetur atë të Mitajt. Ka të ardhme.

SEFERI 7 – Bravo Maran që guxon ti japë një rol “të cuditshëm”. Mesfushor i djathtë që duhet të ndihmojë më shumë në mbrojtje, ndërkohë që ai fare mirë mund të luajë edhe si qendërsulmues si dikur te Tirana. Bën gjithcka pa rënë në sy, por e bën mirë.  (NGA MIN 61 UZUNI 6 – Grintë dhe cilësi që e mbajnë Bjellorusinë gjithnjë nën panik. Pak i shërbyer).

ASLLANI 7 – Shumë sakrificë, por pak vertikalizime dhe asiste të zgjuara për manajn. Luan më shumë horizontalisht, por më shpejt se herët e tjera, megjithatë i mungon gjenialiteti “alla Skela” për ta shërbyer pasin final si duhet. I akullt te penalltia dhe më pas ndryshon ritmin. (NGA MIN 86’ SHEHU – Pak minuta për t’u vlerësuar).

RAMADANI 7 – Vrapon shumë, por qartazi nuk i ka ndezur mirë motorët. Ndonjëherë në kohë vonesë në fazën mbrojtëse dhe pak krijues në fazën sulmuese. Jo në formën e tij më të mirë.

HOXHA 7 – Asnjë nuk vallëzon si ai me topin në radhët e kuqeiznjve. Por me Maran dicka ka ndryshuar, për mirë sigurisht. Nuk e vonon më topin. Pastaj në krahun e tij bën cfarë të dojë me bjellorusët dhe e mbyll ndeshjen duke tërhequr me vete dy ose më shumë kundërshtar. I rrezikshëm. (NGA MIN 87’ MITAJ – Pak minuta sa për statistikë).

MUCI 7.5 – Një prekje një gol. Në kohën e duhur në vendin e duhur. Finte, hapësira të krijuara, vizion loje dhe shumë thjeshtësi. Dikush i ka ngrënë hakun djaloshit sistematikisht, por për këtë duhet pyetur Sylvinho… (NGA MIN 74 MEHMETI – Është i duhuri për të ndryshuar ritmin e ndeshjes, por nuk mundi të lërë shenjë për kohën që pati në dispoizicion).

MANAJ 7 – Gjysme note me shume për sarificën dhe dëshirën që shfaq për të luftuar si askush tjetër. Lëviz shumë, gjuan nga cdo pozicion, po është i rrëmbyer. Ndoshta kjo shpjegon se djaloshi që dikur stërvitej me Ikardin e Interi dhe Mesin te Barcelona, tani nuk luan në një top klub. Por është i duhuri për ne dhe kjo ka më shumë rëndësi. (NGA MIN 73 DAKU 6 – Ka një rast të artë në minutën e 89-të të shënojë, por nuk pati shënjestrën e duhur ta dërgonte topin në rrrjetë).

TRAJNERI MARAN 7 – Pas dy humbjeve me Luksemburgun dhe Izraelin dukej sikur nuk kishte shumë lidhje as me Shqipërinë dhe as me skuadrën. Por këtë herë na befasoi. Jo për Seferin dhe Pilon, por për shpejtësinë me të cilën luan kombëtarja. Lojë me një takim me topin, vertikalizime të shpeshta dhe agresivitet te zona kundërshtare. Surprizë vërtetë e bukur dhe shpresëdhënëse.

Top Channel