Sport

Shqipëria në versionin “turbo”, kuqezinjtë dominojnë Bjellorusinë dhe marrin 3 pikë të merituara!

Shqipëria ka mposhtur 2-0 Bjellorusinë në “Air Albania” në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve. Që në startin e ndeshjes qasja ishte ndryshe nga sa ishim mësuar të shihnim, e një skuadre që kërkon të guxojë dhe të dominojë rivalin. Skuadra e Maranit luan shpejt, me tek prekje dhe pa frikë.

Kristjan Asllani dhe Ernest Muçi ishin autorët e golave, ndërsa skuadra kuqezi pati edhe disa raste të tjera për të thelluar avantazhin.

Ndeshja nisi me ritëm. Shqipëria provoi që në minutat e para, me Arbër Hoxhën dhe më pas Rey Manajn, ndërsa Bjellorusia iu afrua portës së Etrit Berishës në minutën e 8-të. Portieri kuqezi reagoi mirë dhe ndali tentativën e miqve. Pas një faze ku të dyja skuadrat u treguan të kujdesshme, Shqipëria nisi të fitojë terren. Në minutën e 16-të, Muçi krosoi drejt Seferit, por goditja me kokë e sulmuesit u ndal nga mbrojtja bjelloruse.

Momenti që ndryshoi ndeshjen erdhi në minutën e 32-të. Kontsevoi shkaktoi penallti pas ndërhyrjes ndaj Gjimshitit dhe pas konfirmimit nga VAR, Kristjan Asllani mori përsipër ekzekutimin. Mesfushori nuk gaboi dhe në minutën e 34-t shënoi për 1-0. Kuqezinjtë vijuan të kërkonin golin e dytë dhe patën një tjetër mundësi të artë me Manajn në minutën e 38-të, por sulmuesi nuk arriti të dërgonte topin në rrjetë. Në anën tjetër, Barkoëski provoi me kokë, por Berisha kontrolloi pa vështirësi.

Në fundin e pjesës së parë, Shqipëria goditi sërish. Në shtesë një aksion i bukur u finalizua nga Ernest Muçi, i cili shfrytëzoi asistin spektakolar të Hysajt dhe dyfishoi avantazhin. 2-0 për Shqipërinë. Pjesa e dytë nisi me ndryshime te Bjellorusia, ndërsa Shqipëria vazhdoi të ishte skuadra më kërkuese. Në minutën e 56-të, Seferi pati mundësinë për të shënuar edhe golin e tretë, por fali një rast të mirë.

Një minutë më vonë, Bjellorusia iu afrua golit me Pechenin, por tentativa e tij përfundoi jashtë. Shqipëria vazhdoi të krijonte raste, ndërsa në minutën e 64-t Asllani krosoi dhe Manaj goditi shtyllën, duke qenë shumë pranë golit të tretë. Në minutat në vijim, trajneri kuqezi kreu zëvendësime, me Uzunin që hyri në vend të Seferit dhe më pas Dakun e Mehmetin që zëvendësuan Manajn dhe Muçin.

Shqipëria vijoi të kërkonte golin e tretë. Në minutën e 67-të, Muçi provoi brenda zonës, por topi përfundoi jashtë. Pak më vonë, Hoxha tentoi një supergol nga distanca, ndërsa edhe Pilo provoi nga larg, pa gjetur kuadratin.

Në minutën e 77-të ishte radha e Asllanit për të provuar nga distanca. Mesfushori që kishte hapur serinë e golave me penallti kërkoi një tjetër gol spektakolar, por goditja e tij preku rrjetën e jashtme. Në fund, Shqipëria menaxhoi avantazhin dhe ruajti rezultatin 2-0, duke marrë një fitore të rëndësishme përballë Bjellorusisë.

Asllani nga pika e bardhë dhe Muçi me një finalizim të bukur vulosën suksesin kuqezi në “Air Albania”, ndërsa Shqipëria tregoi efikasitet dhe kontroll në një sfidë ku pati mundësi për të shënuar edhe më shumë.

Kuqezinjtë marrin kryesimin e grupit së bashku me Finlandën, që shkatërroi San Marinon me shifrat 7-0.