Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Kosova e motivuar, synon rezultat pozitiv në Vjenë

Foda- Vojvoda

Motivimi pas fitores ndaj Irlandës është shumë i lartë te Kosova. Dhe momentin, “Dardanët” synojnë ta shfrytëzojnë edhe të dielën në ndeshjen e vështirë ndaj Austrisë nga ora 18:00 në “Ernst Happel” të Vjenës.

Ndeshja Austria – Kosova është e dyta e edicionit të pestë të Ligës së Kombeve. Austria është favorite absolute e grupit, por te Kosova kanë thënë se do të luajnë deri në fund për të dalë të paktën të pamposhtur nga stadiumi.

Kështu kanë thënë përzgjedhësi Franco Foda dhe mbrojtësi Mërgim Vojvoda të shtunën në konferencën për shtyp.

Foda tha se nuk ka pasur kohë për festë pas fitores ndaj irlandezëve të enjten. Ai shtoi se e kanë analizuar Austrinë, me të cilën ishte kualifikuar në “Euro 2020”.

Tekniku gjerman tha se duhet pasur kujdes nga loja agresive dhe presingu i lartë i austriakëve.

“Kam thënë edhe më para. Austria është favorite në këtë grup. Është e mundur gjithçka që të ndodh nesër. Ne fituam ndaj Irlandës. Ne duhet të paraqitemi sa më mirë që është e mundur. Të vazhdojmë të luajmë me agresivitet si në herën e kaluar. I gëzohemi kësaj loje. Kemi shumë tifozë kosovarë në stadium. Kemi vetëbesim, kemi luajtur me përfaqësuese të forta. Dhe nesër shpresoj në lojë të mirë”, ka deklaruar Foda.

Austria në këtë ballafaqim do të ketë mungesa të rëndësishme. Por, Foda ka thënë se te Austria ka shumë lojtarë tjerë të cilët mund të shfaqin rrezik të vazhdueshëm. Ka treguar edhe se cili është qëllimi i tij me “Dardanët”.

“Jam i kënaqur nëse loja nesër të shkojë mirë. Në fund të ditës do të shohim se çfarë do të ndodh. E rëndësishme është të luajmë me vetëbesim. E njohim kualitetin e Austrisë. Por, pse është favorite nuk duhet ta ulim veten. Duhet ta japim maksimumin. E rëndësishme është të provojmë të shkojmë më lartë. Qëllimi është ‘Euro 2028’. Pjesëmarrja në Evropianin 2028 ka qenë nga fillimi synimi im. Kur dikush luan futboll, luhet për të fituar. Si lojtarët, ashtu edhe trajneri”, është shprehur 60-vjeçari.

Vojvoda po ashtu është shprehur se të gjithë janë të gatshëm për një tjetër paraqitje të madhe. Ai ka nënvizuar se Liga e Kombeve është mundësi shtesë për t’iu afruar sërish ndonjë ngjarjeje madhore. Kosova në mars e humbi finalen e plejofit për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

“Austria ka më shumë eksperiencë dhe favorit në këtë grup. Kemi marrë tri pikë me Irlandën dhe duhet të shohim lojë pas loje. Besoj shumë se do të ketë tifozë shqiptarë si në Suedi apo Zvicër, apo kudo që kemi luajtur. Kjo na bën më të fortë dhe të ndihemi si në shtëpi”, deklaroi Vojvoda.

Vojvoda ka folur edhe për mungesën e David Alabas tek Austria, bashkëlojtarit të tij të ri tek Udinese. E ka vlerësuar jashtëzakonisht shumë .

Kosova të enjten në “Fadil Vokrri” fitoi me gol të Vedat Muriqit në minutën e 83-të 1:0 ndaj Irlandës. Austria e mposhti Izraelin.

Ndeshja e së dielës mbrëma pritet të jetë e zjarrtë edhe në tribuna. Përkrahja për Kosovën do të jetë e madhe.

Pas ndeshjes me Austrinë, Kosova do t’i luajë edhe dy duele në tetor. Luan në udhëtim tek Izraeli më 1 tetor në Debrecen, ndërsa e pret Austrinë më 4 tetor në Prishtinë.