Irani deklaron se do të presë një përgjigje zyrtare nga negociatorët amerikanë pasi Presidenti Donald Trump refuzoi propozimin për një armëpushim 7 ditor nga Teherani.

Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi, në një postim në Telegram akuzoi presidentin Trump se edhe më parë ka bërë deklarata kontradiktore lidhur me zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe për këtë arsye janë në pritje të një përgjigjeje zyrtare.

Araghchi shkroi në Telegram se Trump "ka bërë shumë deklarata të mira, si dhe shumë deklarata kontradiktore, të cilat për fat të keq i dëgjojmë shpesh".

"Po presim që ndërmjetësuesit të na përcjellin pikëpamjet përfundimtare dhe ne do të marrim një vendim bazuar në to", tha Araghchi.

Më herët Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se propozimi i Teheranit nuk ishte “i pranueshëm” dhe se ata donin të bënin një marrëveshje për të rihapur menjëherë ngushticën e Hormuzit për shkak të humbjeve ekonomike.

"Po e hedh poshtë marrëveshjen e tyre", tha Trump të shtunën, duke shtuar se SHBA-të tashmë kishin "kontroll të plotë" të Ngushticës së Hormuzit.