Elvis Shkambit, i cili ndodhet në masën e sigurisë “arrest në burg”, i është komunikuar zyrtarisht përfundimi i hetimeve për ngjarjen e ndodhur në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Lajmi është bërë i ditur nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.
Përveç akuzës për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, Shkambi përballet edhe me akuzën për vrasje në rrethana cilësuese të mbetur në tentativë, lidhur me plagosjen e Ragip dhe Ervis Kurtajt, babë e bir, të cilët ishin palë kundërshtare në procesin gjyqësor.
Ndërkohë, Gjon Shkambit, xhaxhait të të akuzuarit, pritet t’i komunikohet akuza ditën e hënë. Ai ka deklaruar se nuk kishte dijeni për planet e nipit dhe se nuk e dinte që Elvis Shkambi do të ndërmerrte një veprim të tillë. I njëjti qëndrim është mbajtur edhe nga mbrojtja e tij, ndërsa Prokuroria ka ngritur dyshime për rolin që mund të ketë pasur në ngjarje.
Në fazat e mëparshme të hetimit, ndaj Elvis Shkambit është hetuar edhe akuza për armëmbajtje pa leje.
Si ndodhi vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja?
Ngjarja ndodhi më 6 tetor 2025, rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.
Gjatë një seance gjyqësore, Elvis Shkambi qëlloi me armë zjarri drejt gjyqtarit Astrit Kalaja dhe dy personave të tjerë, Ragip dhe Ervis Kurtaj, babë e bir, të cilët ishin palë në proces. Si pasojë e të shtënave, Kalaja humbi jetën, ndërsa dy personat e tjerë mbetën të plagosur.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Prokuroria, të shtënat ndodhën pasi gjyqtari Kalaja kishte lexuar vendimin për një çështje pronësie mes familjeve Shkambi dhe Kurtaj.
Prokuroria ka bërë të ditur gjithashtu se po hetonte rolin e mundshëm të Gjon Shkambit në nxitjen e veprimeve kundër palës kundërshtare në procesin gjyqësor.


