Sot, në sipërfaqe, mund të mos shohësh shumë. Por vetëm pak më poshtë ndodhet një dëshmi që mund të ndihmojë në rindërtimin e një kapitulli të rëndësishëm të historisë së kësaj treve. Në këtë hapësirë prej 127.5 kilometrash katrorë, mes maleve dhe luginave që prej shekujsh kanë qenë dëshmitare të jetës së brezave, Gryka e Madhe ruan një histori që ende nuk është treguar plotësisht.
“Këtu jemi në Fushë-Gurrë të Strikçanit. Kemi kënaqësinë t’ju paraqesim një zbulim unikal të llojit të tij në Shqipëri, por jo vetëm. Kemi të bëjmë me një varr monumental të periudhës romake, i pari i zbuluar në Shqipëri”, tregon arkeologu Erikson Nikolli.
Një zbulim arkeologjik në Strikçan ka sjellë një interes të ri për të kaluarën e Grykës së Madhe. Këtu, nën tokën që për breza është shkelur dhe punuar nga banorët, arkeologët zbuluan një varr monumental në shtator të vitit 2025.
“Ky varr, në formë mauzoleumi, ka përmasa rreth 9 metra me 6 metra, me dhoma funerare 2.40 metra të larta, paradhomë dhe shkallare monumentale, të zbukuruara me motive gjeometrike në stuko. Ndërsa porta peshon 1 ton”, tha për mikrofonin e Report TV arkeologu Erikson Nikolli.
Ajo që i habiti më shumë arkeologët nuk ishte thjesht madhësia e këtij mauzoleumi prej 9 me 6 metra. Brenda dhomës funerale, e cila qëndronte e paprekur në një lartësi prej më shumë se dy metrash, u zbuluan dëshmi të një luksi të paimagjinueshëm për kohën: enë qelqi të imta, objekte të punuara me kockë dhe fragmente rrobash të qëndisura me fije ari. Çdo element fliste për një varr aristokratik.
“Mbishkrimi është dëshmi e drejtpërdrejtë e lidhjeve kulturore dhe fetare të kësaj zone metën botën romake. Është një dokument i çmuar epigrafik, që i shtohet hartës së trashëgimisë sonë. Ne presim që gërmimet e mëtejshme të nxjerrin edhe struktura të tjera e mbishkrime, të cilat do të plotësojnë kuadrin historik të kësaj treve”, tha Nikolli.
Strikçani, Krajka, Sofraçani, Valikardha dhe vendbanimet e tjera të kësaj treve nuk janë vetëm emra në hartën e sotme. Tradita, toponimet, gjurmët e vjetra dhe zbulimet e bëra ndër vite ngrenë pikëpyetje të rëndësishme për lashtësinë e banimit në këtë zonë.
“Gryka e Madhe është e njohur që në lashtësi me emërtime të ndryshme. Dikush i thotë Tamadija, dikush Gryka e Madhe, sot i thonë shkurt, Zerqan. Kjo zonë ka marrë vlera të mëdha në vazhdimësi, ngaqë vetë emri Grykë e Madhe do të thotë që këtu është një pozicion i ngushtë në shtrirje veri-jug dhe i gjatë në lindje-perëndim”, tregon historiani dhe studiuesi i zonës Ilir Puci.
Për të kuptuar këtë shtrirje, mjafton të shohësh se si natyra e ka ndërtuar këtë rajon. Gryka e Madhe ka shërbyer historikisht si një korridor natyror. Një urë lidhëse mes bregdetit dhe brendësisë së Ballkanit, ku tregtarët, ushtritë dhe udhëtarët e vjetër nuk linin pas vetëm gjurmë hapash, por edhe emërtime që fshatrat i ruajnë edhe sot.
“Dhe në pohimet e ndryshme të akademikëve thuhet që deri në periudhën e antikitetit këtu ka qenë Kalaja e Krajkës. Më vonë filloi të përmendet Kalaja e Sofraçanit mbi shkëmbinj, Kalaja e Valikardhit, Kalaja e Fushë-Gurrës, Kalaja e Homeshit. Pra, për të administruar dhe siguruar lëvizjen e karvaneve dhe njerëzve, u shërbeu kjo vendosje e vendbanimeve pranë këtyre kalave. Janë fakte që lashtësia na i sjell nëpërmjet toponimeve, të cilat edhe sot populli nuk i humbet: 'Ku ishe? - Tek Qytetja. Ku ishe? - Tek Kalaja'”, shprehet studiuesi Puci.
Emrat e vendeve janë përcjellë brez pas brezi, ndërsa toka, gjatë punimit të saj, në raste të ndryshme mund të ketë nxjerrë gjurmë që kanë ngjallur gjithmonë kureshtje për të shkuarën.
“Bujqit që punonin këtu, me atë nivel zhvillimi dhe mundësi interesimi që kishin, tregonin se kishin parë dhe gjetur në Fushë-Gurrë objekte të ndryshme. Por meqenëse objekti ishte fragmentar, ai nuk mund ta përdorte. Për ta ruajtur nuk kishte as interes, as vizion për të nesërmen. Prandaj edhe ato objekte kanë humbur”, tregon Ilir Puci.
Këtë e përforcon edhe një nga banorët e vjetër të zonës, Hekuran Roçi: “Kur u gërmua për ndërtimin e shkollës së re, kemi gjetur varre dhe eshtra.”
Në kohëra të ndryshme rastësia ka zbuluar historinë e lashtë të kësaj zone.
“Në rrethin e Bulqizës ekzistojnë mbi 22 vende arkeologjike. Ndër këto, baza kryesore është zbulimi i poçeve në Vajkal, qytezat e Kokërdhakut, e Krajkës, e Sofraçanit, e Strikçanit, ku me ndihmën edhe të drejtorit të shkollës, Gazmir Sejdi, do të nxjerrim në pah edhe disa objekte të zbuluara rastësisht. Në vitin 1953 ka qenë arkeologu Hasan Ceka që ka kryer gërmime në këto zona, pas tij është arkeologu Adem Bunguri dhe në ditët e sotme është Gazmir Sejdi, mësues historie, që ka zbuluar objekte e vendbanime të cilat ende nuk janë dokumentuar. Fati më i madh që ka Bulqiza është se brenda një ore mund t’i vizitosh të gjitha këto vende që ndodhen brenda një territori prej afro 9 km”, thotë përgjegjësi i muzeut arkeologjik të Bulqizës, Pëllumb Dervishi.
Ndërsa vetë mësuesi i historisë, Gazmir Sejdi, tregon:
“Gjurmë të hershme të periudhës së bronzit janë përballë Kalasë së Gojavecit. Nuk është pikasur nga arkeologët, as në periudhën e komunizmit e as në periudhën e demokracisë. Ne kemi bërë kërkesë herë pas here që të vijnë ekspertët, por nuk është bërë deri më sot një ekspertizë shkencore për to.”
Çdo tullë e thyer apo monedhë e gjetur rastësisht gjatë pranverës në bujqësi ka qenë një thirrje e heshtur e nëntokës për t’u zbuluar.
“Nuk e di për çfarë arsye, por këtu nuk është bërë një studim i mirëfilltë për t’i ndjekur këto zbulime”, shprehet studiuesi Puci.
Ata që nuk i braktisin asnjëherë kërkimet janë studiuesit e zonës. Me ta shëtitëm nëpër të gjithë historinë e Grykës së Madhe. Sipas këtyre të apasionuarve pas tokës së të parëve, çdo periudhë ka lënë gjurmët e saj në këtë rajon.
“Duhet të përqendrohemi në historinë tonë të vjetër. Edhe në vitet që lidhen me Skënderbeun. Deri më sot askush nuk e ka paraqitur se ku ka qëndruar Skënderbeu. Ai ka ndejtur pikërisht këtu. Skënderbeu nuk ka qenë kaçak malesh, ai nuk ka ndejtur nëpër shpella, por ka qëndruar këtu, në një vend që quhet Tërnova e Vogël”, tregon ndër të tjera në rrëfimin e tij studiuesi Halil Teodori.
Studiuesit nuk i shqetëson vetëm ngadalësia e punimeve, por edhe e ardhmja e tyre. Banorët meritojnë t’i kenë si pika turistike për zhvillimin e të gjitha zonave përreth.
“Mbrojtja dhe konservimi janë shumë të rëndësishme nëse këto do të shërbejnë si atraksione të turizmit kulturor. Gjithashtu, vëmendje duhet t’i kushtohet ndërtimtarisë në kohëra të ndryshme, për të cilën shquhet zona. Numërohen mbi 20 shtëpi të cilat i përkasin shekullit XVIII-XIX, por që rrezikojnë të zhduken nëse nuk restaurohen”, thotë Sejdi.
“Këtë vlerë që është zbuluar nuk e kam krijuar as unë, as ti, as këto breza, por të parët tanë. Ata, falë mundësive që kishin, ideve dhe organizimit të asaj kohe, arritën të lënë një gjurmë që bota shqiptare dhe ballkanike e kanë zili”, shprehet i emocionuar studiuesi Ilir Puci.
Nëse kërkimet vazhdojnë, historia mund të sjellë surpriza të tjera. Sepse arkeologjia nuk është vetëm kërkimi i objekteve të vjetra. Ajo është përpjekja për të kuptuar njerëzit që kanë jetuar përpara nesh: ku banonin, si organizoheshin, çfarë besonin dhe çfarë marrëdhëniesh kishin me trevat përreth.
Në Strikçan, një pjesë e kësaj historie është zbuluar... Por mbulimi i saj nuk e mbyll historinë. Përkundrazi, mund të jetë vetëm një pritje... deri në momentin kur arkeologët të rikthehen dhe kërkimi të vazhdojë. Dhe atëherë, ndoshta, nuk do të flasim vetëm për një varr monumental në Strikçan, por për një kapitull më të gjerë të historisë së Grykës së Madhe. Një histori që ka qëndruar për shekuj nën tokë dhe që sot, dalëngadalë, kërkon të tregojë vetveten.








Komente
Komento