Luca Turi, një nga fotoreporterët e njohur të Barit dhe Pulias, është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare. Gjatë karrierës së tij pesëdekadëshe, ai dokumentoi me fotografi disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së qytetit, mes tyre edhe mbërritjen e anijes “Vlora” me mijëra shqiptarë në portin e Barit në vitin 1991.
Turi ka lënë pas një arkiv të rëndësishëm fotografik të historisë së afërt të Barit, ndërsa ndër pamjet më të njohura të realizuara prej tij janë ato të 8 gushtit 1991, kur anija “Vlora” mbërriti në port me rreth 20 mijë qytetarë shqiptarë në bord.
Fotografitë e tij dokumentuan përmasat e jashtëzakonshme të eksodit shqiptar drejt Italisë, duke fiksuar mijëra njerëz të mbledhur në port dhe në anijen “Vlora”. Pamjet u shndërruan më pas në ndër dëshmitë vizuale më të njohura të eksodit të vitit 1991.
Gjatë karrierës së tij, Luca Turi punoi edhe si fotoreporter i ANSA-s, duke ndjekur për dekada zhvillimet dhe jetën e përditshme në Bari.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta u bë i ditur nga ANSA, e cila e cilësoi Turi-n një fotograf të madh dhe dëshmitar autentik të historisë së afërt të Barit dhe Pulias.
Edhe kryebashkiaku i Barit, Vito Leccese, e ka vlerësuar kontributin e fotoreporterit, duke u shprehur se me vdekjen e tij qyteti humb një fotograf të madh dhe një dëshmitar të rëndësishëm të historisë së tij të kohëve të fundit.
Fotografitë e realizuara nga Turi gjatë mbërritjes së “Vlorës” në Bari më 8 gusht 1991 mbeten një dëshmi e rëndësishme vizuale e një prej momenteve më të fuqishme të emigracionit shqiptar drejt Italisë.


