Kryeministri Edi Rama pritet t’u drejtohet qytetarëve me një mesazh nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, sapo të mbërrijë sot në Shqipëri.
Ai përfundoi vizitën gjashtëditore në Shtetet e Bashkuara, ku mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, ora e daljes së tij publike do të bëhet e ditur pasi të konfirmohet udhëtimi nga aeroporti JFK, i ndikuar nga moti i keq.
Mesazhi është paralajmëruar në një kohë kur vendi po ndjek zhvillimet e hetimit ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj saj masën “arrest në shtëpi”, ndërsa SPAK e ka nën hetim për dyshime që lidhen me zbulimin e të dhënave sekrete dhe përkrahjen e autorit të krimit.
Hyseni është shkarkuar nga drejtimi i SHISH-it. Kryeministria nuk ka konfirmuar ende se kjo çështje do të jetë tema e mesazhit të Ramës.
Ndërkohë, Presidenti Bajram Begaj ka thirrur për të hënën, më 28 shtator, në orën 08:30, mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar në Pallatin e Brigadave.
Sipas raportimeve, në fokus pritet të jetë vlerësimi i situatës së sigurisë pas zhvillimeve në SHISH. Në mbledhje pritet të marrë pjesë edhe kryeministri Rama./Versus.al

