Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu hodhi poshtë dje një raport të gazetës amerikane The Atlantic të premten e kaluar, sipas të cilit Egjipti e kishte paralajmëruar atë për sulmin e Hamasit.
Sipas raportit, kreu i shërbimit të inteligjencës së Egjiptit udhëtoi për në Izrael disa ditë para sulmit të 7 tetorit 2023 për të paralajmëruar se lëvizja islamiste palestineze Hamas po përgatitej të kryente një operacion të madh.
Benjamin Netanyahu foli për një përpjekje për të “manipuluar” opinionin publik në vendin e tij, një muaj para zgjedhjeve parlamentare në të cilat ai është në rrezik humbjeje.
Një deklaratë nga shërbimet e zotit Netanyahu thekson se “akuza është e rreme”, ajo ishte mohuar tashmë në atë kohë, por tani “po riciklohet për të manipuluar opinionin publik izraelit”.
Zgjedhjet parlamentare në Izrael janë planifikuar të mbahen saktësisht pas një muaji, më 27 tetor.
Sipas raportit, me më pak se dy javë të mbetura para sulmit, Abbas Kamel, kreu i shërbimit të inteligjencës së Egjiptit, mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar Ben Gurion me një Cessna të çarteruar për një udhëtim të shpejtë që zgjati rreth një orë, me qëllim që të paralajmëronte autoritetet izraelite se dritarja për parandalimin e një sulmi të madh të Hamasit po “mbyllej”. Revista amerikane citon burime në Izrael, Egjipt, vende të tjera arabe, Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.
Kamel thuhet se i kishte kërkuar qeverisë izraelite të bënte lëshime ekonomike ndaj Hamasit, një lëvizje që ka lidhje me Vëllazërinë Myslimane, për të siguruar që të parandalohej përshkallëzimi.
Abbas Kamel është ndër oficerët më me ndikim të inteligjencës në rajon dhe luajti një rol të rëndësishëm në përpjekjet e ndërmjetësimit pas shpërthimit të luftës.
Revista Atlantic thekson se nuk është e qartë se me kë është takuar zoti Kamel. Megjithatë, një ish-zyrtar i qeverisë izraelite theksoi se do të ishte e paimagjinueshme që Kryeministri Netanyahu të mos ishte informuar për vizitën dhe përmbajtjen e asaj që kreu i shërbimit të inteligjencës egjiptian u tha kontakteve të tij.
Dy ditë pas sulmit, zyra e zotit Netanyahu mohoi se Egjipti e kishte paralajmëruar qeverinë e tij dhe se kishte pasur ndonjë kontakt të tërthortë ose të drejtpërdrejtë midis kryeministrit dhe zotit Kamel.
Raporti vjen pas një artikulli të kohëve të fundit nga gazeta izraelite Haaretz, sipas të cilit Emiratet e Bashkuara Arabe e kishin paralajmëruar gjithashtu kryeministrin Netanyahu.
Sipas raportit, Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed, i kishte thënë zotit Netanyahu se udhëheqësi i atëhershëm i Hamasit, Yahya Sinwar, po planifikonte një sulm. Zyra e kryeministrit izraelit gjithashtu mohoi informacionin e gazetës dhe kërcënoi se do ta çonte çështjen në gjykatë.
Lini një Përgjigje