Marshimi që ndezi trazirat në Irlandën e Veriut rikthehet pas 30 vitesh, gjykata jep lejen
Katër persona kanë mbetur të vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur në një sulm me armë zjarri në Saint Vincent dhe Grenadine, një shtet i vogël ishullor në Karaibe, i njohur edhe për turizmin luksoz.
Ngjarja ndodhi në zonën Green Hill, pranë kryeqytetit Kingstown, ku policia mbërriti pas raportimeve për të shtëna me armë.
Komisioneri i përkohshëm i Policisë Mbretërore, Trevor Bailey, bëri të ditur se dy viktima u gjetën të shtrira në rrugë, ndërsa trupi i një gruaje u zbulua brenda një automjeti të parkuar. Viktima e katërt u gjet në një parcelë pranë rrugës. Sipas policisë, të katër kishin plagë që dyshohet se janë shkaktuar nga armë zjarri.
Katër persona të tjerë u plagosën gjatë incidentit, ndërsa dy prej tyre vijojnë të marrin trajtim në spital. Deri tani nuk ka pasur arrestime. Policia po vijon kërkimet për autorët dhe po përpiqet të përcaktojë motivin e sulmit.
Autoritetet kanë raportuar gjithashtu një tjetër vrasje dhe po hetojnë nëse ajo mund të ketë lidhje me të shtënat në Green Hill.
Ministri i Sigurisë Kombëtare, St. Clair Leacock, i dënoi sulmet, duke i cilësuar si të “padobishme”. Ai tha se, megjithëse Saint Vincent dhe Grenadinet mbetet një vend përgjithësisht paqësor, dhuna e lidhur me bandat ka prekur disa komunitete në vend.
Top Channel