Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar pas operacionit “Shkollat e pastra”, ku 31 persona janë vënë në pranga dhe 14 të tjerë janë shpallur në kërkim për shpërndarje të lëndëve narkotike, veçanërisht në afërsi të institucioneve arsimore.
Demo e ka cilësuar operacionin si një rezultat të bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, duke vlerësuar hetimin dhe përdorimin e metodave speciale.
“Shkollat e pastra”, një operacion i suksesshëm, falë bashkëpunimit me Prokurorinë, hetimit profesional dhe përdorimit të metodave speciale”, shkroi ministri në rrjetet sociale.
Sipas Demos, goditja e shpërndarjes së drogës pranë shkollave mbetet një nga prioritetet e Policisë së Shtetit, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin.
“Në çdo shkollë, në çdo qytet, në çdo cep të Shqipërisë, Policia e Shtetit do të jetë aty për të garantuar sigurinë e fëmijëve tanë”, u shpreh ministri i Punëve të Brendshme.


