Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar së fundmi lidhur me operacionin “Shkollat e pastra” të zhvilluar nga Policia e Tiranës në zona të ndryshme të kryeqytetit. Në kuadër të këtij operacioni janë ekzekutuar masat e sigurisë “arrest në burg” për 31 persona, ndërsa 14 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Përmes një reagimi në Facebook, Demo e ka cilësuar operacionin si një rezultat të bashkëpunimit mes Policisë dhe Prokurorisë, duke vlerësuar hetimin profesional dhe përdorimin e metodave speciale.
Ai thekson se goditja e shpërndarjes së lëndëve narkotike, veçanërisht në zonat pranë shkollave, mbetet një prioritet i Policisë së Shteti.
‘“Shkollat e pastra”, një operacion i suksesshëm, falë bashkëpunimit me Prokurorinë, hetimit profesional dhe përdorimit të metodave speciale.
Goditja e shpërndarjes së drogës, veçanërisht pranë shkollave, është prioritet i Policisë së Shtetit në Tiranë dhe në çdo cep të Shqipërisë.
Në kuadër të operacionit u ekzekutuan masat e sigurisë “arrest në burg” për 31 shtetas, ndërsa 14 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Në çdo shkollë, në çdo qytet, në çdo cep të Shqipërisë, Policia e Shtetit do të jetë aty për të garantuar sigurinë e fëmijëve tanë,” shkruan Demo.

