Dua Lipa është rikthyer në Kosovë dhe këtë herë është parë duke shijuar një dasmë në Pejë, mes të afërmve dhe miqve, në një atmosferë tërësisht festive.
Këngëtarja ka zgjedhur të qëndrojë më e tërhequr në rrjetet sociale dhe nuk ka publikuar ende fotografi nga eventi. Megjithatë, prania e saj nuk ka kaluar pa u vënë re nga të ftuarit, të cilët e kanë filmuar gjatë festimeve. Në disa prej pamjeve shihet edhe flamuri kombëtar shqiptar.
Detajet e dasmës janë bërë të ditura kryesisht përmes postimeve të motrës së Duas, Rina Lipës. Ajo ka ndarë disa pamje nga ceremonia, ku bien në sy elementet e veshjes tradicionale shqiptare të nuses, mes tyre jeleku i qëndisur me ar dhe rruaza, veshja e bardhë me punime dore dhe brezi tradicional.
Por momenti që ka tërhequr më shumë vëmendje është ai i Duas me të atin, Dukagjin Lipën. Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, këngëtarja shihet duke kërcyer krah tij, ndërsa të dy mbajnë nga një gotë mbi kokë dhe e shijojnë atmosferën e dasmës në maksimum.


