Të paktën 27 persona janë vrarë në dy sulme me armë në Afrikën e Jugut, të ndodhura brenda pak orësh në zona të ndryshme të vendit.
Në incidentin e parë, 17 persona u vranë në një lokal në perëndim të Johanesburgut, mbrëmjen e së shtunës. Sipas policisë, autorët mbërritën rreth orës 21:30 dhe hapën zjarr fillimisht ndaj personave që ndodheshin jashtë lokalit, përpara se të hynin brenda dhe të qëllonin edhe klientët.
Policia tha se sulmuesit ishin të armatosur me pushkë AK-47 dhe pistoleta. Ata dyshohet se kontrolluan disa prej klientëve dhe u morën celularët, përpara se të largoheshin me dy automjete të paidentifikuara, të cilat më pas u dogjën. Nga të vrarët, 13 ishin burra dhe katër gra. Deri tani nuk ka persona të arrestuar.
Në një tjetër sulm, në Lwandle, pranë Cape Town, u vranë 10 persona dhe 11 të tjerë mbetën të plagosur në orët e para të së dielës. Sipas policisë, persona të armatosur hynë rreth orës 01:46 në një lokal ku shitej edhe mish i pjekur dhe qëlluan ndaj klientëve.
Pesë persona humbën jetën në vendngjarje, ndërsa pesë të tjerë vdiqën më vonë në spital si pasojë e plagëve. 11 persona po marrin trajtim mjekësor. Policia ka nisur hetimet për vrasje dhe tentativë vrasjeje, ndërsa identitetet e viktimave do të bëhen publike pasi të njoftohen familjarët.


