Zyrtari i VV-së, Hysni Mehani, ka ngritur akuza ndaj kryetarit të Skënderajt, Sami Lushtaku, lidhur me nisjen e procedurave për dhënien në shfrytëzim të një prone komunale. Sipas Mehanit, procedura nisi pesë ditë pas vendimit të Gjykatës Speciale për krerët e UÇK-së.
Në një publikim në Facebook, Mehani thotë se pronat ndodhen te ish-tregu i qytetit dhe kanë vlerë rreth 1 milion euro. Ai pretendon se ato planifikohet të jepen për 99 vjet, për ndërtimin e banesave.
Të lidhura
None found
Mehani e lidhi çështjen me vëmendjen e qytetarëve ndaj vendimit të Speciales, duke pretenduar se prona publike po “trafikohet nën rrogoz e mbuluar me patriotizëm”. Ai akuzoi gjithashtu Lushtakun se dhënia e pronës në shfrytëzim i sjell përfitime atij dhe rrethit të tij.
Postimi i Mehanit:
BAC, po i marrin parcelat e fundit në Skënderaj!
Mes mërzisë dhe biznesit! Një milion euro pronë komunale po kalon nën flamurin e patriotizmit!
Vetëm pesë ditë pas vendimit të Gjykatës Speciale për krerët e UÇK-së, Sami Lushtaku nis procedurat për ta dhënë pronën komunale në shfrytëzim, me qëllim ndërtimin e banesave.
Bëhet fjalë për pronat te ish-tregu i qytetit, të cilat synohet të jepen për 99 vjet përmes procedurës së negocimit nga kryetari.
Në përgjithësi, kjo mënyrë veprimi u ka sjellë fitime të mëdha ndërtuesve, pasi ata marrin prona me vlerë miliona euro me kushte shumë të favorshme. Në të vërtetë, ndërtuesit merren vetëm me ndërtimin e vrazhdë. Pronarët e vërtetë nuk i sheh kurrë të shënuar në dokumente, por qytetarët e Skënderajt i njohin mirë.
Prandaj, dhënia e pronave publike për ndërtimin e banesave ka qenë dhe vazhdon të jetë fitimprurëse për Sami Lushtakun dhe rrethin e tij, ndonëse ligji e ndalon dhënien e pronave komunale për këtë qëllim.
Këtu duhen theksuar dy çështje:
1. Ndërsa vëmendja e qytetarëve është përqendruar te vendimi i Gjykatës Speciale, një pronë me vlerë 1 milion euro po trafikohet nën rrogoz, e mbuluar me patriotizëm, pa rënë në sy.
2. Mërzia për dënimin e krerëve të UÇK-së nuk e ndal dëshirën për të bërë biznes me pronat komunale. Përkundrazi, krijon terren për kontrabandimin e tyre.
Ndoshta ekziston edhe një mundësi e tretë:
mërzinë për vendimin e padrejtë kundër krerëve të UÇK-së, Sami Lushtakut mund t’ia largojë vetëm një pronë miliona euroshe, ku do të ndërtohen banesa shumëkatëshe.
