Christa Pike, e dënuar me vdekje për vrasjen dhe torturimin e 19-vjeçares Colleen Slemmer në vitin 1995, pritet të ekzekutohet më 30 shtator në Tennessee, 31 vite pasi kreu krimin kur ishte vetëm 18 vjeçe.
Nëse ekzekutimi kryhet, Pike, tashmë 50 vjeçe, do të jetë gruaja e parë e ekzekutuar në Tennessee në më shumë se 200 vjet. Ndërkohë, avokatët e saj po përpiqen deri në momentet e fundit të ndalojnë zbatimin e dënimit, duke sjellë në vëmendje historinë e abuzimit dhe neglizhencës që ajo ka përjetuar gjatë fëmijërisë.
Krimi ndodhi në vitin 1995, kur Pike dhe i dashuri i saj i atëhershëm, Tadaryl Shipp, rrahën, torturuan dhe vranë Colleen Slemmer, të cilën e kishin njohur në një kamp trajnimi pune për adoleshentë me probleme.
Rasti tronditi Knoxville në atë kohë. Në gjoksin e Slemmer ishte gdhendur një pentagram, simbol i lidhur me ritualet satanike. Pike e kishte akuzuar 19-vjeçaren se e kishte fyer dhe se po përpiqej t’i merrte të dashurin.
Dy persona të tjerë që ndodheshin në kamp dëshmuan më vonë se Pike ishte mburrur për vrasjen para dhe pas krimit dhe se u kishte treguar edhe një pjesë të kafkës së Colleen.
Një vit pas vrasjes, Pike u dënua me vdekje. Shipp, i cili ishte 17 vjeç në momentin e krimit, u dënua me burgim të përjetshëm me mundësi lirimi me kusht.
Tashmë, pas vitesh përpjekjesh të pasuksesshme në gjykata, Pike ndodhet vetëm pak ditë larg ekzekutimit. Në të gjithë SHBA-në, që prej viteve 1970, janë ekzekutuar 18 gra dhe 1,663 burra.
Mbrojtja e saj ka paraqitur një kërkesë prej 226 faqesh për falje, ndërsa ekspertë të OKB-së për të drejtat e njeriut kanë kërkuar gjithashtu ndalimin e ekzekutimit.
Një pjesë e rëndësishme e argumentit të avokatëve lidhet me fëmijërinë e Pike. Një psikologe mjekoligjore e angazhuar nga mbrojtja që në vitin 1995 kishte konstatuar se ajo ishte neglizhuar rëndë nga të dy prindërit dhe ishte abuzuar fizikisht e seksualisht nga disa prej bashkëshortëve dhe të dashurve të nënës së saj.
Sipas raportit, Pike ishte përdhunuar disa herë, përfshirë rastet kur ishte 11 dhe 17 vjeçe. Më vonë u zbulua se ajo ishte përdhunuar në mënyrë të përsëritur që kur ishte shumë e vogël nga i dashuri i gjyshes së saj. Psikologia Diana McCoy ka thënë se nëna e Pike nuk e kishte besuar kur ajo kishte treguar për abuzimet.
Avokatët argumentojnë se juria që e dënoi nuk pati mundësi të njihte të gjithë historinë e saj. McCoy nuk u thirr për të dëshmuar gjatë procesit dhe nuk u paraqitën as shumë nga dëshmitarët që ajo kishte rekomanduar.
Në vitin 2021, Pike u diagnostikua në burg me çrregullim bipolar dhe nisi trajtimin me ilaçe. Një tjetër psikologe mjekoligjore që e vlerësoi në vitin 2023 tha se ajo kishte kaluar një fëmijëri të mbushur me abuzim fizik, seksual dhe emocional.
Gjykatat nuk i kanë pranuar këto argumente si arsye për ndryshimin e dënimit. Një gjykatë federale apeli vlerësoi se juria kishte dëgjuar gjatë gjyqit për fëmijërinë e vështirë të Pike dhe se provat e reja për çrregullimin bipolar, stresin post-traumatik dhe dëmtimin e trurit nuk do ta kishin ndryshuar vendimin.
Edhe këtë javë, Gjykata e Lartë e Tennessee refuzoi kërkesën për pezullimin e ekzekutimit.
Tashmë, mundësia e fundit për ndryshimin e dënimit është falja nga guvernatori i Tennessee, Bill Lee. Deri tani, ai nuk ka dhënë asnjë falje në një çështje me dënim me vdekje.
Në anën tjetër është nëna e Colleen Slemmer, e cila prej më shumë se tri dekadash pret ekzekutimin e gruas që i vrau vajzën.
“Ajo e kreu krimin. Mendoj se duhet të paguajë për të”, ka thënë May Martinez.
“Zemra më thyhet çdo ditë, sepse vazhdoj ta rijetoj dhe ta rijetoj. Nuk mundem më dhe dua që kjo të ndodhë para se të vdes”, tha ajo, duke shtuar se dëshiron që vajza e saj “më në fund të prehet e qetë”.
Ndërkohë, Pike ka bërë edhe një kërkesë të veçantë për ditën e ekzekutimit: dëshiron që ekipi që do të merret me të të përbëhet vetëm nga gra. Ajo thotë se mbajtja me forcë nga burra do t’i rikthente traumën. Autoritetet kanë thënë se synojnë që gardiane gra ta transferojnë drejt burgut ku do të kryhet ekzekutimi, por nuk e kanë garantuar këtë.
Pike gjithashtu nuk dëshiron që njerëzit e saj të afërt ta shohin gjatë ekzekutimit.
“Ajo nuk dëshiron që ne ta përjetojmë këtë”, ka treguar mikja e saj Ashlee Sellars.
Për Sellars, historia mbetet e lidhur me dy realitete: dhimbjen e familjes së Colleen dhe bindjen e saj se edhe Pike meriton një mundësi për shpengim.
“Njerëzit duan të dinë se jeta e secilit ka rëndësi. Duan të dinë se jeta e Colleen kishte rëndësi. Christa, në këtë moment, mendoj se po lufton shumë më tepër që jeta e saj të ketë rëndësi sesa për të jetuar vetë”, tha ajo.


