Turi i Ripërtëritjes/ PD nis aksionin në terren, Noka: Situata dramatike, kërkohet qeveri teknike

Turi i Ripërtëritjes/ PD nis aksionin në terren, Noka: Situata dramatike, kërkohet qeveri teknike

10:11, 27/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Partia Demokratike ka nisur zyrtarisht turin e saj mbarëkombëtar, me fokus ripërtëritjen, organizimin dhe forcimin e strukturave të partisë. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, zhvilloi takimin e parë të këtij turi në qytetin e Gjirokastrës, ku u takua me drejtuesit lokalë, strukturat dhe anëtarësinë demokrate.

Në qendër të takimit ishte organizimi i brendshëm i partisë, mobilizimi i bazës dhe analiza e situatës politike në vend. Noka kërkoi angazhim më të madh të strukturave dhe ngritjen e Partisë Demokratike në lartësinë e detyrës përballë sfidave politike që po përballet Shqipëria.

Gjatë fjalës së tij, Noka e cilësoi situatën aktuale politike dhe ekonomike tejet dramatike, duke akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për një sërë skandalesh dhe për mungesë përgjegjësie ndaj qytetarëve.

“Sot Edi Rama dhe qeveria e tij janë kthyer në një problem të madh për vendin, ku skandalet që prodhohen çdo ditë dëshmojnë mungesën e çdo sensi morali dhe përgjegjësie”, u shpreh Noka.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së deklaroi se qeverisja aktuale dhe lidhjet që ekzistojnë me krimin e organizuar përbëjnë një barrë të rëndë për vendin. Ai akuzoi mazhorancën se ka dëmtuar funksionimin e institucioneve dhe se qytetarët po përballen me pasoja të situatës politike dhe ekonomike.

Një tjetër pikë e rëndësishme e mesazhit të Nokës ishte nevoja për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Sipas tij, krijimi i një qeverie teknike përbën zgjidhjen e propozuar nga opozita për të garantuar një proces zgjedhor të besueshëm dhe për t’i dhënë fund kapjes së institucioneve.

Noka kërkoi gjithashtu forcimin e organizimit të opozitës në të gjithë vendin, duke e paraqitur turin si një proces që nuk do të kufizohet vetëm në takime me strukturat, por do të shërbejë edhe për analizimin e situatës në çdo degë dhe për mobilizimin e anëtarësisë.

“Misioni i Partisë Demokratike është të ngrihet në lartësinë e detyrës për t’u bërë ballë sfidave të kohës, për t’u forcuar dhe për t’i dhënë vendit një drejtim të ri politik”, ishte mesazhi i përcjellë nga Noka.

Turi mbarëkombëtar do të vijojë në degët e PD-së në të gjithë Shqipërinë. Në fokus do të jenë riorganizimi i strukturave, forcimi i lidhjes me anëtarësinë, analiza e situatës politike dhe përgatitja e opozitës për aksionin e ardhshëm politik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco