“Abuzim që të lë pa mend!” Braçe denoncon abuzimet me çmimet e produkteve ushqimore dhe kursin e euros

Nga A2 CNN
27 Shtator 2026, 10:55 | Politikë

“Abuzim që të lë pa mend!” Braçe denoncon

Deputeti socialist Erion Braçe ka denoncuar në rrjetet sociale çmimet e larta të produkteve në një kohë kur kursi i këmbimit me të cilin disa supermarkete llogarisin euron dhe dollarin tregon që euro dhe dollari kanë rënë ndjeshëm, ndërsa leku është forcuar.

Sipas deputetit socialist, kjo jo vetëm që nuk përkthehet në uljen e çmimeve të fruta-perimeve dhe produkteve ushqimore, të cilat vijojnë të jenë të larta, por nxjerr në pah abuzimin dhe mungesën e mbështetjes dhe një industri ushqimore që ai e cilëson ‘thuajse inekzistente’

Sa i përket abuzimeve me kursin e këmbimit, Braçe thotë se supermarketet, dyqanet dhe stacionet e karburanteve nuk janë të legjitimuara të këmbejnë monedha të huaja, por kanë detyrimin të tregtojnë në lekë.

“Ajo që të lë pa mend është fakti që ndërkohë që leku forcohet, euro e dollari bie, në këto dyqane edhe më shumë se tregu, çmimet e produkteve të importit jo vetëm janë të larta, por janë të qëndrueshme të larta”, shkruan ai, krahas një videoje.

Postimi i plotë i Erion Braçes

E diel sot. Sapo bëra pazarin e javës. Unë dal vetë të blej në tregje e dyqane.

Për çmimet, fjalët kanë mbaruar. Perimet dhe frutat e freskëta, vendase e të importuara, si edhe produktet e përpunuara, thuajse të gjitha të importuara, janë të shtrenjta dhe vijojnë të mbeten të tilla. Siç ju dëshmoj në video, këto çmime pasqyrojnë kostot e larta të prodhimit vendas, mungesën e mbështetjes dhe të bashkëfinancimit, si edhe një industri ushqimore thuajse inekzistente.

Por pasqyrojnë edhe një abuzim që të lë pa mend. E them realisht.

Shihni në video njoftimin e afishuar në një, dy, tre supermarkete për kursin me të cilin pranojnë euron dhe dollarin: 90 lekë për 1 euro dhe 77 lekë për 1 dollar.

Së pari, supermarketet, dyqanet dhe pikat e karburantit nuk janë të autorizuara të këmbejnë monedha të huaja. Ato kanë detyrimin të tregtojnë në lekë.

Por ka edhe më. Kursi që afishojnë është shumë më i ulët se kursi zyrtar i Bankës së Shqipërisë dhe ai i tregut të lirë: 91,56 lekë për 1 euro dhe 80,22 lekë për 1 dollar.

Ajo që të lë pa mend është se, ndërsa leku forcohet dhe euro e dollari bien - në këto dyqane edhe më shumë sesa në treg - çmimet e produkteve të importuara mbeten të larta.

Pra, tregtarët i marrin eurot më lirë, madje më lirë se kursi i Bankës së Shqipërisë dhe i tregut. Me këto euro blejnë produkte jashtë, i sjellin këtu dhe na i shesin me çmime që nuk pasqyrojnë rënien e euros apo të dollarit.

Pyetja që kam sot është: A nuk duhen taksuar më shumë këto mbifitime?! (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos