GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për 50-vjeçarin Bledar Cafi, i arrestuar në Shkodër me urdhër të SPAK. Cafi dyshohet se është pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike dhe autoritetet e konsiderojnë person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Emri i Cafit ka dalë nga zbërthimi i komunikimeve në platformën SkyECC, ku sipas hetimeve rezulton në komunikime edhe me Endrit Doklen. Të dyshuarit akuzohen se kanë trafikuar drogë në bashkëpunim me grupin e Rrajave.
Sipas burimeve të Report TV, Cafi nuk ka dhënë deklarime para gjyqtarit dhe është përfaqësuar nga avokati i tij.
Në kuadër të hetimeve, Cafi dyshohet gjithashtu se ka qenë një nga porositësit e një ngarkese prej 427 kilogramësh kokainë, e cila u sekuestrua në Portin e Roterdamit në Holandë në vitin 2020.
Nga komunikimet e zbardhura në SkyECC dyshohet se ngarkesa, me një vlerë prej miliona eurosh, ishte nisur me kontejiner nga Ekuadori.
Bledar Cafi akuzohet për tre vepra penale: “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal; “Grup i strukturuar kriminal”; si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.


