Lezhë ka regjistruar 1 milion e 532 mijë vizita turistike nga janari deri në shtator të vitit 2026, një rritje prej 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur u regjistruan 1 milion e 343 mijë vizita.
Pjesën më të madhe të fluksit gjatë tre muajve të verës e kanë përqendruar plazhet e Shëngjinit dhe Tales. Sipas të dhënave zyrtare të Bashkisë Lezhë, 70% e pushuesve janë akomoduar në hotele dhe resorte, 25% kanë qenë vizitorë ditorë, ndërsa 5% kanë qëndruar në apartamente me qira.
Shqiptarët nga Kosova përbëjnë pjesën më të madhe të turistëve, me rreth 65% të totalit të pushuesve. Turistët e huaj zënë rreth 20% të numrit të përgjithshëm, sipas drejtorit të Turizmit në Lezhë, Renaldo Xhani.
Përtej bregdetit, një rritje të vizitave ka shënuar edhe turizmi kulinar. Ky sektor ka regjistruar mbi 280 mijë vizita, ndërsa vetëm “Mrizi i Zanave” ka pritur rreth 150 mijë vizitorë.
Edhe atraksionet historike dhe kulturore kanë tërhequr mijëra vizitorë. Kalaja e Lezhës, Memoriali i Skënderbeut, Muzeu Etnografik dhe Muzeu Arkeologjik janë vizituar nga rreth 32 mijë persona.
Ndërkohë, destinacionet natyrore, përfshirë Kune-Vainin, Ranën e Hedhun dhe zonat malore, kanë regjistruar mbi 70 mijë vizita.
Bashkia e Lezhës sqaron se shifra prej 1.532 milionë vizitash nuk përfaqëson numrin e personave unikë, pasi i njëjti turist mund të ketë kryer disa vizita gjatë sezonit. Megjithatë, rritja krahasuar me vitin e kaluar është e dukshme, me 189 mijë vizita më shumë në nëntë muajt e parë të 2026.


