GJKKO lë në burg Bledar Cafin, pjesë e një grupi të trafikut të drogës

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 27.09.2026, 11:31

Bledar Cafi ka dalë sot para Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila ka rivlerësuar masën e sigurimit ndaj tij në kuadër të hetimeve të SPAK për operacionin “Muri i Lartë”. GJKKO ka vendosur që 50-vjeçari të vijojë të qëndrojë në masën e sigurisë “Arrest në burg”. Cafi u arrestua më 26 shtator në Shkodër, gjatë një operacioni të Policisë së Shtetit dhe BKH-së, nën drejtimin e SPAK.

Sipas hetimeve, emri i Bledar Cafit ka dalë nga zbërthimi i komunikimeve në platformën SkyECC, ku dyshohet se është evidentuar përfshirja e tij në trafikimin e lëndëve narkotike në bashkëpunim me grupin e Rrajave. Ai akuzohet për tre vepra penale, mes tyre “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Cafi rezulton të ketë precedentë të mëparshëm penalë dhe është dënuar në Itali për trafik narkotikësh. Më 4 qershor 2020, Gjykata e Triestes e dënoi me 4 vite e 2 muaj burg për trafik droge në sasi të mëdha dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Ai u shpall në kërkim ndërkombëtar dhe më 25 janar 2021 u arrestua në Shkodër nga autoritetet shqiptare, me qëllim ekstradimin drejt Italisë për të vijuar vuajtjen e dënimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit