Arrestohet burri që mbante armë pa leje në banesë, procedohet i riu që u kap me makinë luksoze të vjedhur

Dy operacione policore janë finalizuar në Fier, duke çuar në sekuestrimin e një arme zjarri automatike, municionit luftarak dhe një automjeti luksoz të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në kuadër të operacionit të koduar “No Guns 5”, policia arrestoi një 66-vjeçar, i cili dyshohet se posedonte një armë zjarri në banesën e tij. Gjatë kontrollit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier sekuestruan një armë zjarri tip automatik dhe një krehër me 29 fishekë.
Në një tjetër rast, në kuadër të verifikimeve për burimin e të ardhurave dhe automjetet luksoze, policia ndaloi për kontroll një automjet tip “Benz”, i cili rezultoi i shpallur në kërkim nga Interpol Manchester. Për këtë rast u procedua në gjendje të lirë një 26-vjeçar nga Mallakastra, nën dyshimin për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë.




