AKTUALITET /

VIDEO/ Drejt Greqisë me 91 kg kanabis në furgon, në pranga dy bashkëshortët! Ja ku ishte fshehur droga

Pas kalimit në skaner, mjeti u kontrollua në vijën e dytë, ku efektivët zbuluan vende të krijuara posaçërisht poshtë shtresës së dyshemesë.

Shkruar nga Versus

VIDEO/ Drejt Greqisë me 91 kg kanabis në furgon, në pranga dy

Një çift nga Tirana është arrestuar në pikën kufitare gjatë një tentative të dyshuar për të trafikuar kanabis drejt Greqisë.

Policia gjeti rreth 91 kilogramë lëndë narkotike të fshehur në dyshemenë e furgonit me të cilin udhëtonin.

Sipas njoftimit të Policisë, furgoni u përzgjodh për kontroll të detajuar bazuar në analizën e riskut.

Pas kalimit në skaner, mjeti u kontrollua në vijën e dytë, ku efektivët zbuluan vende të krijuara posaçërisht poshtë shtresës së dyshemesë.

Aty ishin fshehur rreth 88 pako me lëndë të dyshuar kanabis.

Në kuadër të operacionit të koduar “Risku 1”, u arrestuan drejtuesi i furgonit,Klejdi Agalliu, 28 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, Bukurije Agalliu, 25 vjeçe.

Njoftimi i policisë:

PKK Kakavijë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Risku 1”.
Falë kontrolleve të shtuara nga Policia Kufitare bazuar në analizën e riskut, parandalohet dhe goditet një rast i tentativës për trafikimin e lëndëve narkotike drejt Greqisë.
Gjatë kontrolleve intensive, me përdorimin e mjeteve logjistike bashkëkohore, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në brendësi të një furgoni rreth 88 pako me lëndë narkotike të dyshuar cannabis, me peshë totale rreth 91 kilogramë.
Vihet në pranga drejtuesi i furgonit dhe pasagjerja, bashkëshortë me njëri-tjetrin.

Shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i kontrolleve të imtësishme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafikimin e lëndëve narkotike, si dhe i intensifikimit të kontrolleve bazuar në analizën e riskut në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve në

DVP Gjirokastër, kaluan për kontroll të detajuar në skaner dhe më pas në vijën e dytë, në dalje të RSh-së, furgonin që drejtohej nga shtetasi K. A..

Nga kontrolli i imtësishëm, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura, në vende të krijuara posaçërisht në dyshemenë e furgonit, poshtë shtresës së saj, rreth 88 pako, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar cannabis, me peshë totale rreth 91 kilogramë.

Ne vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasit K. A., 28 vjeç, dhe B. A., 25 vjeçe, të dy banues në Tiranë, bashkëshortë me njëri-tjetrin.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 91 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis dhe furgoni.

Strukturat e DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me DVP-të e tjera, nën drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, po vijojnë veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”./Versus.al

Poll