Një automjet luksoz tip “Benz”, i prodhuar vitet e fundit, është sekuestruar në Fier pasi nga verifikimet e policisë rezultoi se ishte shpallur në kërkim nga Interpol Manchester.
Makina u ndalua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në DVP Fier në kuadër të kontrolleve për verifikimin e burimit të të ardhurave me të cilat janë blerë automjete luksoze. Gjatë kontrollit të dokumentacionit dhe të dhënave të mjetit, policia konstatoi se “Benzi” ishte në kërkim ndërkombëtar.
Për rastin është marrë nën hetim në gjendje të lirë një 26-vjeçar nga Mallakastra, i cili e kishte automjetin në përdorim. Ai po hetohet për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Policia bën të ditur se operacionet për evidentimin e rasteve të trafikimit të mjeteve motorike dhe veprimtarive të tjera kriminale vijojnë, ndërsa materialet procedurale të këtij rasti i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.


