web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Një vit në krye të Mitropolisë së Korçës/ Hirësia e tij, Anastas: Lutjet tuaja janë ajo që kërkoj

27 Shtator 2026, 11:56, Aktualitet CNA

Një vit nga dita kur u fronëzua si Mitropolit i Korçës, Hirësia e Tij Anastas ka kremtuar këtë përvjetor me një liturgji të shenjtë në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”. Që prej orëve të para të mëngjesit, besimtarë dhe klerikë janë bërë pjesë e kësaj dite të veçantë për Mitropolinë e Korçës, ndërsa pas liturgjisë, Mitropoliti Anastas ka përcjellë mesazhin e tij për vitin e parë të shërbimit në këtë detyrë.

Duke iu rikthyer fjalëve të thëna një vit më parë, në ditën e fronëzimit, Hirësia e Tij Anastas tha se qëllimi i tij nuk ishte thjesht të merrte titullin e Mitropolitit, por të arrinte të fronëzohej në zemrat e njerëzve.

Një vit më pas, ai bëri një reflektim mbi këtë rrugëtim, duke folur për përgjegjësinë që mbart kjo detyrë dhe për marrëdhënien që dëshiron të ndërtojë me komunitetin. Në fjalën e tij, Mitropoliti kërkoi nga besimtarët jo duartrokitje, por lutje, duke kërkuar prej tyre urtësi, durim, guxim dhe përulësi për të vijuar shërbimin e tij. Mbi të gjitha, ai kërkoi dashuri për të gjithë njerëzit, pa dallim, duke theksuar se misioni i tij është t’u shërbejë të gjithë banorëve të kësaj zone dhe të përcjellë tek ata dashurinë e Perëndisë.

Një vit më parë, në ditën e fronëzimit, Hirësia e Tij Anastas u shpreh se dëshira e tij ishte të mos mbetej vetëm Mitropoliti i Korçës, por të bëhej për njerëzit një atë dhe një vëlla. Një vit më pas, ai tha se nëse kjo është arritur sadopak, e konsideron si arritjen më të madhe të këtij viti shërbimi.

"Unë para një viti erdha këtu të fronëzohem nga Sinodi i Shenjtë me në krye Kryepiskopin si Mitropolit i Korçës. Dhe në qoftë se e mbani mend në meshën e parë kur fola, ju thashë se nuk është ky qëllimi im, sepse kjo është një gjë që të jepet shpeshherë pa pasur dhe merita të mëdha. Qëllimi im, ju thashë atë ditë, është që të fronëzohem, nëse mundet, në zemrat tuaja.  Dhe në qoftë se në këtë vit kjo është arritur sadopak, që të mos jem mitropoliti juaj, por të arrij të bëhem sadopak ati dhe vëllai juaj, kjo është për mua arritja më e madhe"

Duke bërë një bilanc të vitit të parë, Mitropoliti Anastas tha se gjithçka që është bërë ka qenë për lavdi të Perëndisë, ndërsa për ato që ende nuk janë realizuar, mori përgjegjësinë personale. Në këtë ditë, ai tha se nuk kërkon duartrokitje, por lutjet e besimtarëve për ta udhëhequr në shërbimin e tij.

"Ato që kemi bërë këtë vit, që nuk kemi bërë pothuajse asgjë, por ato gjëra që kemi bërë, janë të gjitha për lavdi të Perëndisë dhe për të gjitha ato gjëra që duheshin bërë dhe që nuk janë bërë, përgjegjësia është personale e imja. Në këtë ditë do të thoja që nuk i dua duartrokitjet tuaja. Jo se nuk i dua, i dëshiroj, por nuk dua që të më jepni duartrokitje sot. Edhe urimet patjetër që i dua. Por ajo që unë pretendoj edhe kërkoj dhe ju lutem me përulësi të më jepni, janë lutjet tuaja."

Por mbi të gjitha, lutja që kërkoi nga besimtarët ishte për dashuri, pa dallime mes njerëzve. Ai tha se dëshiron t’i shohë të gjithë banorët e kësaj zone njësoj dhe t’u shërbejë përmes mësimit të Kishës dhe asaj që mund të bëhet në komunitet.

"Të luteni tek Perëndia që të më japë urtësi kur duhet të marr vendime; të më japë durim atëherë kur unë duhet të pres; të më japë edhe guxim atëherë kur duhet të flas; edhe të më japë përulësi atëherë kur është e udhës që të hesht. Por t'i luteni Perëndisë para së gjithash që të më japë dashuri; që të mos ndaj njerëzit në të rëndësishëm apo të parëndësishëm; që të mos i ndaj njerëzit në të afërt ose në të largët; por të shikoj vetëm një kategori njerëzish: atë për të cilën Perëndia më dërgoi në këtë qytet dhe në këtë Mitropoli, grigjën e Perëndisë, popullin e zgjedhur të tij, të gjithë bashkëqytetarët, të gjithë banorët e kësaj zone, të cilët në një mënyrë ose në një tjetër do të vijnë në kontakt me mua. T'i shikoj të gjithë njerëzit njësoj e të përpiqem që të shfaq tek ata dashurinë e Perëndisë nëpërmjet mësimit të Kishës dhe nëpërmjet asaj të paktës që ne mund të bëjmë."

Në përfundim të fjalës së tij, Mitropoliti Anastas uroi që vitet e ardhshme të jenë një rrugëtim i përbashkët, me përparim jo vetëm në vepra materiale, por mbi të gjitha në besim, përulësi dhe dashuri. Në këtë ditë të veçantë për Mitropolinë e Korçës, Kisha i dha gjithashtu ofiqin e Stavrofor Ikonomit At Kostandin Mujos, i cili prej shumë vitesh shërben në këtë Mitropoli, duke u përcjellë nga besimtarët urimi: “I denjë!”

"Vëllezër dhe motra, Perëndia na bekoi këtë vit dhe të lutemi që të na japë shumë vite së bashku, që të përparojmë jo në vepra materiale, por të përparojmë në besim, të përparojmë në përulësi dhe të përparojmë në dashuri. Edhe një herë dua t'ju falenderoj të gjithëve. Me dashuri dhe me përulësi e pranojeni këtë falenderim. Ju falenderoj sërish për prezencën tuaj, për fjalët tuaja, për gjithçka kemi kaluar bashkë në Kryepiskopatën e Shenjtë të Tiranës, në shembullin dhe në udhëzimin e atit tonë të përbashkët, Kryepiskopit të paharruar Anastas. Vëllezër dhe motra, në këtë ditë të bekuar të kishës sonë, Kisha ka vendosur që t'i japë ofiqin e Stavrofor Ikonomit njërit prej vëllezërve tanë të dashur, At Kostandin Mujos, i cili prej shumë vitesh shërben në këtë mitropoli me thjeshtësi, me dashuri dhe me përulësi. Le të lexojmë uratën dhe le të themi të gjithë së bashku: I denjë!"

Në përmbyllje të kësaj dite të veçantë, Hirësia e Tij Anastas uroi që rrugëtimi i nisur një vit më parë të vijojë së bashku me besimtarët e Korçës, me më shumë besim, përulësi dhe dashuri. Për të, përvjetori i parë i fronëzimit nuk është vetëm një datë për t’u shënuar, por një moment reflektimi mbi përgjegjësinë dhe misionin që i është besuar./ CNA





Lajmet e fundit nga