Policia e Shtetit ka arrestuar në Tiranë dhe në Rinas dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të autoriteteve të drejtësisë në Itali dhe Kosovë.
Sipas njoftimit të policisë, në Tiranë u arrestua me qëllim ekstradimi në Itali shtetasi E. D., 47 vjeç, lindur në Kavajë. Gjykata e Bolonjës, në maj të vitit 2026, ka lëshuar ndaj tij një urdhër arresti për pjesëmarrje në grup kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.
Ky shtetas dyshohet se gjatë vitit 2020, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka organizuar dhe kryer blerjen, transportimin, importimin, magazinimin dhe mbajtjen e sasive të mëdha të lëndëve narkotike, përfshirë marijuanë, hashash dhe kokainë, të trafikuara drejt Italisë me qëllim shitjen.
Ndërkohë, në Rinas është arrestuar me qëllim ekstradimi në Kosovë shtetasi kosovar H. K., 38 vjeç. Gjykata e Apelit e Pejës, në vitin 2022, e ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim, për falsifikim të kartëmonedhave. Ky shtetas në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka tentuar të hedhë në treg, në Pejë, rreth 15 000 dollarë falsë, gjatë vitit 2021.
Njoftimi i Policisë:
Policia e Shtetit/Vijon operacioni ndërkombëtar i koduar “The Ëanted”.
Ndalohen në Tiranë dhe në Rinas 2 shtetas të kërkuar ndërkombëtarisht, për llogari të autoriteteve të drejtësisë në Itali dhe Kosovë.
Në vijim të bashkëpunimit operacional dhe informativ me homologët, të koordinuar nga Drejtoria e Interpolit, me qëllim lokalizimin, ndalimin dhe ekstradimin e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, në Tiranë dhe në Rinas u ndaluan 2 shtetas:
-Specialistët e Sektorit për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Departamentin për Policinë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Tiranë, kapën dhe arrestuan, me qëllim ekstradimi në Itali, shtetasin E. D., 47 vjeç, lindur në Kavajë.
Gjykata e Bolonjës, në muajin maj 2026, ka lëshuar urdhër arresti për pjesëmarrje në bashkëpunim kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Ky shtetas akuzohet se, gjatë vitit 2020, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka organizuar dhe ka kryer blerjen, transportimin, importimin, magazinimin paraprak dhe mbajtjen e sasive të mëdha të lëndëve narkotike (marijuanë, hashash dhe kokainë), të trafikuara në Itali, me qëllim shitjen.
-U arrestua në Rinas, me qëllim ekstradimin në Kosovë, shtetasi kosovar H. K., 38 vjeç. Gjykata e Apelit e Pejës, në vitin 2022, e ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim, për falsifikim të kartëmonedhave. Shtetasi H. K., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka tentuar të hedhë në treg, në Pejë, rreth 15 000 dollarë falsë, gjatë vitit 2021.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët në Romë dhe në Kosovë, për të finalizuar procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve.
