Moska mund t’i sigurojë presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, energji të mjaftueshme për ta ndihmuar atë kur ka më së shumti nevojë politike, por njëkohësisht ruan edhe levën e presionit, thotë për REL-in Ivana Stradner nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive me bazë në Uashington.
Pas bisedës telefonike të Vuçiçit me presidentin rus, Vladimir Putin më 26 shtator, ajo thotë se receta ruse është mjaft e thjeshtë – karota dhe shkopi.
“Nëse pushteti ndryshon, Putini përmes kësaj bisede, lë njëkohësisht derën e hapur për negociata me qeverinë e re”, thotë ajo.
Vuçiçi bisedoi në telefon me Putinin, i cili është i izoluar në Perëndim, teksa vendi i tij është nën sanksione për shkak të pushtimit të Ukrainës, i cili po zgjat prej pesë vjetësh.
Pas bisedës njëorëshe, Vuçiçi shprehu bindjen se aneksi i marrëveshjes mes Moskës dhe Beogradit për furnizimin me gaz do të zgjatet.
“Për Rusinë, energjia është një nga instrumentet kryesore të ndikimit politik, ndërsa marrëveshja energjetike mes Serbisë dhe Rusisë skadon javën e ardhshme”, thekson Stradner për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Marrëveshja afatshkurtër për furnizimin e Serbisë me gaz rus skadon më 30 shtator, ndërsa Serbia importon nga Rusia më shumë se 80 për qind të këtij energjie.
Serbia nuk ka arritur marrëveshje për një kontratë afatgjatë, pasi marrëveshja e mëparshme trevjeçare skadoi në verën e vitit 2025, teksa Moska që atëherë po i zgjat anekset e kontratës në periudha afatshkurtra.
Vuçiçi tha në një postim në Instagram se beson që marrëveshja do të zgjatet që nga e hëna dhe se Serbia do të vazhdojë, siç e vlerësoi ai, të ketë “çmim të mirë dhe të ulët të gazit”.
Ai tha se Serbia paguan rreth 318 euro për një mijë metra kub gaz, ndërsa, sipas tij, çmimi në treg është 868 euro për një mijë metra kub.
Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje në disa raste Serbisë që të diversifikojë burimet dhe rrugët e furnizimit me gaz natyror, por pavarësisht se Beogradi ka nisur këtë proces, vendi ende varet në masë të madhe nga Rusia.
Vuçiçi njoftoi se me Putinin ka biseduar edhe për Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS), duke shtuar se këtu “problemi është më i ndërlikuar”.
NIS-i është nën sanksione amerikane për shkak të aksioneve shumicë ruse, ndërsa licenca e autoriteteve amerikane për funksionimin e kompanisë, derisa vazhdojnë negociatat për shitjen e aksioneve ruse, është rinovuar në baza mujore. Licenca e fundit skadon më 30 shtator.
Negociatat për shitjen e aksioneve ruse mes Gazprom Neftit rus dhe MOL-it hungarez po vazhdojnë prej muajsh dhe mbetet pyetje nëse do të përfundojnë para zgjedhjeve në Serbi.
“Të dyja palët i kanë letrat në tavolinë”
Ivana Stradner nga Fondacioni amerikan për Mbrojtjen e Demokracive thotë se, kur merren parasysh të gjitha, biseda mes Vuçiçit dhe Putinit vështirë se mund të shihet vetëm si një telefonatë protokollare.
Ajo vlerëson se në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë, të dyja palët i kanë letrat e tyre në tavolinë.
“Moska e konsideron Serbinë partnere të rëndësishme që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, në mënyrë që Moska të mund t’u shmanget sanksioneve, ndërsa Beogradit i duhet mbështetja ruse për energjinë”, tha Stradner.
Edhe pse në bisedën e Vuçiçit me Putinin ajo nuk sheh kryesisht një mesazh gjeopolitik, por një bisedë shumë konkrete për energjinë, ajo nuk e përjashton as dimensionin e sigurisë.
“Strukturat ruse dhe serbe të sigurisë dhe inteligjencës kanë pasur kontakte dhe bashkëpunim të zhvilluar prej vitesh. Prandaj, nuk duhet harruar zgjedhjet. Moska ka folur publikisht për përpjekje të supozuara të Perëndimit për të shkaktuar një ‘revolucion me ngjyra’ në Serbi”, shtoi ajo.
Vuçiçi bisedoi me Putinin një ditë para dorëheqjes së paralajmëruar, për shkak të pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në të cilat ai garon për kryeministër të Serbisë.
Zgjedhjet i shpalli në dritë të protestave masive që kanë zgjatur dy vjet, të udhëhequra nga studentët, për shkak të vdekjes së 16 personave nga shembja e strehës së një ndërtese në Novi Sad.
Zgjedhjet e 25 tetorit do të jenë testi i parë serioz për liderin populist që ka qeverisur në mënyrë të padiskutueshme për një dekadë e gjysmë në Serbi.
E pyetur nëse biseda e Vuçiçit me Putinin do të ndikojë në zgjedhjet në Serbi, Stradner thotë se kur shërbimi rus FSB, qëndron në krah të Vuçiçit dhe mohon përdorimin e armëve akustike, ndërsa protestat studentore i paraqet si “revolucion me ngjyra”, atëherë “miti për këtë miqësi fillon të kriset”.
Lini një Përgjigje