Çfarë do deklarojë? Rama pritet të mbërrijë në Rinas në orën 13:00, masa të shtuara sigurie në aeroport
Makina e kryeministrit Edi Rama, efektivë të Gardës së Republikës, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) dhe forca të Policisë së Shtetit ndodhen në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, në pritje të mbërritjes së kreut të qeverisë.
Rama pritet të mbërrijë rreth orës 13:00 nga Nju Jorku, ku ndodhej për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Pas mbërritjes, kryeministri pritet t’u drejtohet shqiptarëve nga salla e shtypit në aeroport.
Përmbajtja e deklaratës mbetet ende e paqartë, ndërsa njoftimi i kryeministrit për një komunikim të drejtpërdrejtë ka nxitur spekulime mbi temën që do të trajtojë.
Sipas raportimeve, një burim qeveritar që ndodhej me Ramën në SHBA nuk ka dhënë detaje konkrete, por ka deklaruar se kryeministri do të mbajë “një qëndrim për situatën aktuale”.
Një prej çështjeve që mund të jetë pjesë e deklaratës është situata e krijuar pas marrjes si të pandehur të ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, nga SPAK. Procedimi ndaj saj u bë ndërsa Hyseni ndodhej jashtë vendit, në një kohë kur edhe kryeministri Rama ishte në SHBA.
/Shqip.com