POLITIKË /

Pagat e magjistratëve, Gjykata e Lartë nuk merr pjesë në tryezën e Ramës! Sadushi: Të flasë më parë Kushtetuesja

Sadushi thekson se ky qëndrim nuk është refuzim i dialogut mes pushteteve.

Shkruar nga Versus

Pagat e magjistratëve, Gjykata e Lartë nuk merr pjesë në

Gjykata e Lartë nuk do të përfaqësohet në tryezën e thirrur për të hënën, më 28 shtator, nga kryeministri Edi Rama për pagat e magjistratëve.

Në përgjigjen dërguar Kryeministrisë, kreu i saj, Sokol Sadushi, shpjegon se ligji i ri për pagat është çuar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese dhe se dialogu për të njëjtën çështje do të ishte më i dobishëm pasi ajo të shprehet.

Sadushi thekson se ky qëndrim nuk është refuzim i dialogut mes pushteteve.

Ai propozon një tryezë më të gjerë për funksionimin e sistemit të drejtësisë, me fokus problemet që ndikojnë në cilësinë dhe kohën e dhënies së drejtësisë.

Të njëjtën nevojë për një agjendë më të gjerë ai e kishte ngritur edhe në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve. 

Qëndrimi vjen pas miratimit në Kuvend, më 18 shtator, të formulës së re të pagave të magjistratëve me 84 vota.

Formula është kundërshtuar nga shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese. 

Përgjigjja e plotë e Sokol Sadushit, dërguar Kryeministrisë më 26 shtator 2026:

Mirëmëngjes,

Në vijim të komunikimit tuaj të djeshëm për konfirmimin e pjesëmarrjes në takimin e datës 28 shtator, dëshiroj të rikujtoj qëndrimin e mbajtur në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve.

Besoj te dialogu ndërmjet pushteteve dhe mbetem i hapur ndaj tij. Megjithatë, pas ftesës së datës 18 shtator ka ndodhur një zhvillim institucional që nuk ekzistonte në atë moment dhe që lidhet drejtpërdrejt me objektin e tryezës. Ligji i ri për pagat i është nënshtruar kontrollit të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo rrethanë e re ndikon, në vlerësimin tim, si në kohën, ashtu edhe në përmbajtjen e dialogut. Për një çështje kushtetuese tashmë të shtruar për gjykim, fjala i përket Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, dialogu për këtë objekt mund të jetë substancial dhe efektiv pasi ajo të jetë shprehur.

Në këto kushte, pjesëmarrja në një tryezë me të njëjtin objekt, vetëm për të përsëritur qëndrimin institucional të shprehur publikisht, nuk do t’i shtonte dialogut një përmbajtje të re. Dialogu ka vlerë kur ekziston hapësira institucionale që prej tij të prodhohet diçka më shumë sesa ritheksimi i qëndrimeve të bëra të qarta.

Kjo nuk e mbyll hapësirën e dialogut institucional. Sikurse kam theksuar, drejtësia ka nevojë për një tryezë me një dimension më të gjerë, kushtuar funksionimit dhe konsolidimit të sistemit dhe problemeve që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe kohën e dhënies së drejtësisë.

Për hapjen e këtij dialogu, gatishmëria ime dhe e institucionit që përfaqësoj mbetet e plotë. Është një dialog i nevojshëm dhe tashmë i vonuar.

Do ta mirëprisja zhvillimin sa më parë të një tryeze me këtë temë dhe me këtë dimension: një dialog ndërmjet pushteteve, me qytetarin në qendër.

Me konsideratë,

Sokol Sadushi
Kryetar i Gjykatës së Lartë

Poll