Pamjet e filmuara me dron nga Policia e Tiranës tregojnë deri ku kishte depërtuar shpërndarja e drogës pranë shkollave të kryeqytetit; persona të survejuar afrohet deri te hekurat rrethues të shkollës për të kryejnë shkëmbimin me nxënësit.
Në pamjet e siguruara gjatë hetimit, shpërndarësi shihet teksa qëndron jashtë territorit të shkollës, ndërsa nxënësi afrohet nga ana tjetër e rrethimit. Mes tyre kryhet shkëmbimi përmes hekurave, pa qenë nevoja që shitësi të hyjë në ambientet e shkollës.
Pamjet janë pjesë e hetimit katërmujor të Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës, që përfundoi me operacionin e koduar “Shkolla të Pastra”, nëpërmjet të cilit u goditën disa grupe që, sipas policisë, shisnin lëndë narkotike pranë shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, por edhe në zona të tjera të kryeqytetit.
Hetimi identifikoi 52 persona të dyshuar si të përfshirë në këtë aktivitet. Për 31 prej tyre u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, 14 të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa 7 persona ishin arrestuar gjatë katër muajve të hetimit.
Në disa raste droga transportohej me monopatina, taksi apo nëpërmjet shërbimeve delivery.
Gjatë hetimit dhe ekzekutimit të masave të sigurisë u sekuestruan 1 kilogram e 75 gramë heroinë, 1 kilogram e 265 gramë kokainë dhe 685 gramë kanabis. Policia sekuestroi gjithashtu një pistoletë, 90 fishekë, dy peshore elektronike, 12 automjete dhe 35 telefona celularë.
Operacioni “Shkolla të Pastra” vijon me kërkimin e 14 personave të tjerë të identifikuar gjatë hetimeve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë për shkak të vazhdimit të hetimit.