web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kur fillon dhe mbaron afera Agasi-Vlora Hyseni

Në qendër të debatit të kësaj jave ka qenë skandali i SHISH, masa ndaj ish-drejtoreshës së SHISH Vlora Hyseni, lidhjet dhe komunikimet me Ergys Agasin. CNA përmes disa shkrimeve ka treguar si u kryqëzuan fatet e Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit, duke trajtuar më tej se si emëroheshin krerët e institucioneve me ardhjen e Vlora Hysenit në SHISH, shkëlqimin dhe rënien e Agasit si dhe pushtetin e këtij të fundit me mbështetjen e kryeministrit Edi Rama dhe ish-drejtuese së SHISH. Për më tepër lexoni shkrimet e mëposhtme.

4 artikuj për këtë temë.

35 MINUTA ME PARE

Nga buronte pushteti i Ergys Agasit?

Kur fillon dhe mbaron afera Agasi-Vlora Hyseni

Ergys Agasi ishte nga Durrësi, djali i një zyrtari të lartë të PS-së, Bardhyl Agasit, që kaloi te LSI më pas u përfshi në fushatën e Ramës dhe për një kohë të shkurtër u ngrit në piramidë jo në zyrat e shtetit, por në zyrën e tij private ku filloi të qarkullonte miliona euro të marra nga AKSHI nëpërmjet tenderëve me shuma fiktive, dy apo tre herë me vlera më të mëdha se realiteti apo me emërime të rëndësishme në admininstratë.

Pyetja që lind është nga buronte gjithë ky pushtet?

Buronte nga marrëdhënia e tij rozë me radarët e Vlora Hysenit? Nga lidhja që vendosi me drejtuesen e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj?

Radarët e ndezur me Mirlindën i dhanë atij miliona e miliona euro. Skandali me AKSHI-n është edhe më i madh sepse shumë tenderë me vlera dhjetëra miliona euro kanë qenë të klasifikuar, pra të mbyllura, me një ofertë, me një kompani me kushte speficike dhe padiskutim SHISH ka rolin e tij në këto lloj tenderësh, por Mirlinda Karçanaj kishte sigurinë e Ergys Agasit sepse SHISH nuk do të çonte informacione qoftë te kryeministri, qoftë te institucionet e tjera sepse këtu ishte Vlora Hyseni. Pra, lidhja fillon dhe bëhet mes institucioneve.

Përtej emërimeve në Policinë e Shtetit apo institucione të tjera shkojmë te fakti që AKSHI bën tenderë të klasifikuar dhe kompanitë që hyjnë duhet të kenë DSIK, pra një certifikatë që i jepet nga një institucion të veçantë që burimin kryesor të informacionit ka SHISH.

AKSHI kthehet në hambar për Agasin, i cili me Vlorën e SHISH dhe Mirlindën e përulur në AKSHI fillon trash pasurinë e tij dhe bëhet njeriu kryesor i tenderëve të IT dhe nga ana tjetër ?fama? e bën Agasin të jetë njeriu me pushtet në botën e krimit dhe biznesit që vinte për shkak të interesave që ka në lidhje me qeverinë, me shtetin, me zyrat, me intitucionet.

Agasi mund të emëronte drejtorë policie, oficerë policie, Agasi hyn në lojë me prokurorë, me gjyqtarë, me drejtorë të rëndësishëm, me institucione kryesore të vendit, me gjithçka që ka në qarkullim dhe gjen terren të hapur a thua se qeveria dhe institucionet nuk ekzistojnë dhe tashmë erdhi ?mbreti i ri i Shqipërisë?, sepse Edi Rama si kryeministër në atë kohë vazhdonte propagandën e tij ndërkohë që dikush tjetër gërmonte pushtetin e tij nga poshtë kjo jo pa dijeninë e Ramës.

Datat e emërimeve dhe lëvizjet në institucione lidhin një skemë të qartë

Po përtej kësaj lindin pyetjet: I bëri Ergys Agasi emërimet në Policinë e Shtetit? I bëri Ergys Agasi emërimet në ministrinë e Brendshme? I bëri Ergys Agasi emërimet në ASHK, AKSHI dhe në SHISH?

Jo! Të gjitha emërimet i ka bërë Rama. Ergys Agasi shkarkoi ministrat e Brendshëm, ndosha sa nga lidhja e tij politke me Edi Ramën aq dhe nga influenca e fortë e Vlora Hysenit.

Ergys Agasi nuk është thjesht një emër i rastësishëm, është një individ që mori një pushtet të pakufijshëm që nuk i është deleguar shkresërisht, por e gjeti në terren dhe e zbatoi sa nga lidhja e Ramës aq dhe nga lidhja me Vlora Hysenin, kjo e fundit nën akuzë nga SPAK ndërkohë që kryeministri ende nuk ka dhënë sqarim si mundi Ergys Agasi të ishte në krah të tij, pas eskortës së tij dhe në emër te Ramës të bënte emërime, shkarkime, lëvizje në institucione dhe të merrte një pushtet thuajse paralel me atë të kryeministrit./ CNA

 

2 ORE ME PARE

Shkëlqimi dhe rënia e Agasit, me Vlora Hysenin në krye të SHISH

Kur fillon dhe mbaron afera Agasi-Vlora Hyseni

Ergys Agasi ishte një person që kishte lidhje politike por që i ishte dhënë një pushtet shumë i madh, i deleguar aq sa të ishte një kryeministër i vendit.

Me heqje ministrash, vendosje drejtorësh, me kreun e Policisë së Shtetit në krah dhe mbështetjen e fortë të Vlora Hysenit në SHISH, shkëlqimi i Ergys Agasit ishte në rritje. 

Lidhjet e tij të tjera vetëm forcoheshin, me SPAK që zbuloi se ai vazhdonte të komunikonte me Vlora Hysenin, komunikime ka pasur dhe me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Pritet të shohim dhe rolin e Ilir Prodës në lidhje me të, por dhe me zyrtarë të tjerë të cilët kanë qenë intensiv në komunikime me Agasin, ky i fundit një nga njerëzit që pas arrestimit të Erion Veliajt filloi të angazhohej fort për lirmin e këtij të fundit.

Tek Agasi nuk shkonin vetëm drejtorë dhe zyrtarë, por dhe biznesmenë afër tij që shkonin tek ai për të zgjidhur probleme të ndryshme me institucione të ndryshme.

Shkërmoqja e Ergys Agasit nisi pas një hetimi të shpjetë të SPAK në lidhje me kontrabandën e cigareve, ku asokohe edhe ai vetë reagoi duke thënë se ishte i hapur ndaj SPAK dhe për hetimet ndaj tij.

Por pas këtij hetimi, ai i radhës ishte një goditje më e fortë për Agasin, që lidhej me skandalin e AKSHI-t, e sjellë nga Agjencitë partnere siç janë gjermanët.

Emri i Agasit ishte bërë shumë i madh, por dosja e AKSHI-t e goditi rëndë pushtein e tij saqë menjëherë largohet nga vendi.

Sipas infomacioneve që u dhanë në atë kohë u largua në Zvicër dhe prej disa muajsh ai ka hyrë në Shqipëri ku flitej se qarkullonte rëndom në aksin Durrës-Elabasn ku dhe u arrestua në Golem në gusht të 2026 disa muaj pasi ishte larguar njeriu i tij nga Policia e Shtetit.

Pra, pasi u largua Ilir Proda nga detyra në mars të 2026 dhe në krye të policisë erdhi Skënder Hita, 6 muaj më pas u arrestua Ergys Agasi.

Në momentin e ndalimit të tij bashkë me ish-efektivin Uljan Shpataraku, u sekuestruan disa telefona dhe janë zbërthyer në kohë të shpejtë.

Nga këta telefona janë nxjerrë skemat e përdorura, komunikimet e Agasit me drejtuesen e SHISH dhe me zyrtarë të tjerë si rasti i Ilir Prodës.

SPAK vazhdon hetimet dhe pritet në ditët në vijim të ketë dhe persona të tjerë nën akuzë./ CNA

 

21 ORE ME PARE

Si u emëruan krerët e institucioneve, pas ardhjes së Vlora Hysenit në SHISH

Menjëherë pas emërimit të Vlora Hysenit në SHISH, më 3 prill të vitit 2023 filluan dhe lëvizjet e përplasjet që forcuan më tej Ergys Agasin.

Taulant Balla u emërua ministër i Brendshëm në korrik të vitit 2023 nga Edi Rama jo nga Ergys Agasi dhe fillon një përplasje me këtë të fundit.

Në atë kohë, mësohet se Taulant Balla ka pasur takime intensive për shkak të detyrës me Vlora Hysenin dhe qarqet politike tregonin për një konflikt të tyre që filloi me emrin e Ergys Agasit të cilin Vlora Hyseni e mohonte në mënyrë sistematike. 

Taulant Balla u largua nga detyra pas konflikteve dhe përplasjeve të vazhdueshme dhe kërkesave të bëra nga Agasi. Ky i fundit deklaronte në rrethet e ngushta në Tiranë se ?do ta hante Taulant Ballën? dhe se ky i fundit do të ikte shpejt. Dhe kështu ndodhi. Megjithëse Balla kishte filluar të bënte disa reforma në Policinë e Shtetit ai ra shpejt dhe pikërisht në momentin kur Agasi deklaronte poshtë e lart se Balla do të ikte.

Në 2 tetor të 2024, njeriu i Ergys Agasit, Ilir Proda, u emërua drejtor i Policisë së Shtetit, megjithëse ky i fundit kishte qenë në Elbasan i akuzuar për lidhje me bandat e këtij qyteti dhe nga ana tjetër SPAK i kishte marrë telefonin.

Nuk është e gjatë dhe jeta si ministër i Brendshëm as i Ervin Hoxhës, i cili u emërua më 28 korrik të 2024. Edhe Hoxha shpejt ?ra dëshmor? megjithëse nuk kishte profilin politik të Ballës apo peshën e reformave që tentoi të bënte ky i fundit.

Këto nuk janë thjesht çështje thashethemesh në Tiranë, janë fakte me data të sakta të lëvizjes së njerëzve të cilat përputhen me emrin e Agasit dhe Vlora Hysenit.

Po të shikosh datat, emërimet dhe lëvizjet shkojnë të gjitha te dyshja Ergys Agasi-Vlora Hyseni.

Me Prodën në krye të Policisë së Shtetit, me Vlorën në krye të SHISH, me largimin e Taulant Ballës nga ministër i Brendshëm, me ardhjen e Hoxhës dhe largimin e këtij të fundit, Agasi u bë një nga njerëzit më të fortë në qarkullim në rrjetet politike në Shqipëri.

Takime dhe festa të madhe në Equos Resort, aty ku biznesemenë e zyrtarë shkonin me radhë apo deri te zyra e këtij të fundit në kryeqytet në qendër ku janë zbuluar takime me dhjetëra e dhjetëra biznesmenë apo dhe zyrtarë të lartë të shtetit që shkonin dhe paraqitnin forcën tek Ergys Agasi.

Dikush emërohej pasi negocionte me Ergys Agasin, dikush tjetër largohej pasi nuk negocionte me Ergys Agasin.

Një e vërtetë duhet thënë: Ergys Agasi nuk ishte njeri pa peshë politike në PS, megjithëse dikush e quan biznesmen anonim në hije. Ai ka dëshiruar të rrijë në hije, por ka pasur një angazhim të fortë politik në qarkun e Durrësit, i cili është një nga qytetet që ka më shumë mandate deputetësh në vend.

Pas Tiranës dhe Fierit, janë Durrësi dhe Elbasani që kanë numrin më të madh të mandateve. Angazhimi i Agasit ka qenë mjaft i fortë gjatë fushatës elektorale me PS-në. Në Tiranë shpesh flitej për lidhje të forta me njerëz të grupeve kriminale sa në Elbasan, Tiranë dhe në Durrës.

Kjo i jepte një peshë të madhe duke ditur si funksiononin dhe kanë funksionuar në Shqipëri zgjedhjet politike./ CNA

 

22 ORE ME PARE

Si u kryqëzuan fatet e Vlora Hysenit me Ergys Agasin

Ditët e fundit debati kryesor publik ka qenë masa e arrestit dhënë nga Gjykata e Posaçme për Vlora Hysenin, ish-drejtuesen e SHISH, e cila u zbërthye nga prokurorët e SPAK-ut pas një hetimi intensiv menjëherë pas arrestimit të shtetasit Ergys Agasi.

Këtij të fundit iu gjet një telefon dhe në mesazhet e tij u gjetën 508 komunikime me drejtuesen e SHISH.

Vlora Hyseni dhe Ergys Agasi ishin në një marrëdhënie intensive ndërkohë që ky i fundit ishte një person në kërkim.

Ku fillon kjo histori?

Gjithçka fillon në vitin 2021, kur Ergys Agasi i bashkohet Edi Ramës si i deleguar politik në qarkun e Durrësit, ku në atë kohë në krah të Ramës ishte dhe Lefter Koka, ish-ministri i Mjedisit, njeriu i Ilir Metës, që pas vetes kishte marrë edhe shumë anëtarë të LSI-së, të cilët i kishte parkuar tek Edi Rama.

Ato janë momentet e para të kontaktit të fortë të Edi Ramës me Ergys Agasin, pra zgjedhjet e vitit 2021.

Shumë sot mund ta kujtojnë se në atë kohë qëllimi kryesor i PS-së ishte goditja e LSI-së, që kjo e fundit të bënte sa më pak dëm elektoral tek e majta dhe kryesisht te PS-ja.

Ergys Agasi është një ish-zyrtar i Ministrisë së Mjedisit, që më pas u kthye në një biznesmen që filloi të rritej shpejt.

Është djali i një ish-drejtuesi të lartë të PS-së, një ikone të saj, Bardhyl Agasi, ky i fundit u dekorua nga Rama edhe kur djali i tij ishte në arrati dhe kërkohej nga SPAK-u.

Ndërkohë që marrëdhëniet e Ergys Agasit me Ramën fillojnë në vitin 2021, në të njëjtën kohë në shtator, ekzaktësisht në 27 shtator të vitit 2021 Vlora Hyseni emërohet këshilltare e kryeministrit Edi Rama, pas largimit nga detyra që ka pasur në Kosovë nga kryeministri Albin Kurti.

Vlora Hyseni asokohe ishte një figurë e panjohur për Shqipërinë, lidhej vetëm me detyrën e kryer në Kosovë, e larguar nga Albin Kurti që në media konsiderohej si njeri i Thaçit që ka marrë goditje për shkak të përplasjeve politike që kanë ndodhur në Kosovë.

Pas rreth 19 muajsh, Vlora Hyseni mori detyrën e drejtores së SHISH, pikërisht në 3 prill 2023, disa muaj para zgjedhjeve lokale në vend. 

Marrëdhënia e Ergys Agasit me Ramën ndërkohë po ecte. Një ndër shembujt e forcimit të kësaj marrëdhënieje është fakti se, pak para se Vlora Hyseni të bëhej drejtoreshë e SHISH, Dallëndyshe Bici u emërua në 9 mars të vitit 2023 në krye të ASHK-së.

Bici drejtoi ASHK-në për një periudhë 9-mujore dhe në atë kohë siç raportohet rëndom në qarqet e bizneseve në Tiranë për të zgjidhur një problem në hipotekë, për të fituar kohë dhe për ta kryer atë shpejt mjafton të kalohej nga Ergys Agasi. Në atë kohë pretendohet se ka pasur veprime në sistemet e Kadastrës ku disa pasurive u është fshirë historiku.

Në 2023 Agasi fillon dhe rritet. Atëherë arrin që radari i tij të përputhet me radarin e Vlora Hysenit, pse jo, duke mbajtur edhe një radar ndezur për Dallëndyshe Bicin.

Në këtë kohë Agasi ishte një nga njerëzit që filloi të lidhej me biznesmenë të ndryshëm dhe të influenconte shumë në strukturat e qeverisjes.

Nga ana tjetër ai u afrua me kryeministrin Edi Rama, ku ne mundëm ta filmonim në fillim të viti 2024 duke dalë nga Vila 30 në kryeqytet pas një takimi me kryeministrin Rama, duke e ndjekur eskortën e këtij të fundit.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by CNA TV (@cnatv.lajme)

Ergys Agasi nuk bënte asnjë detyrë, por menjëherë pas emërimit të Vlora Hysenit në SHISH filluan dhe lëvizjet e përplasjet që e forcuan më tej Ergys Agasin./ CNA

 





Lajmet e fundit nga