Sport

Fitorja e parë në drejtimin e kuqezinjve, Maran: E merituar, jemi vetëm në fillim të rrugës tonë

Shqipëria e ka nisur me sukses aventurën e re në Ligën e Kombeve, duke triumfuar 2-0 ndaj Bjellorusisë në “Air Albania”, në ndeshjen e parë me Rolando Maranin në drejtimin e skuadrës kuqezi.

Rezultati u përcaktua që në fraksionin e parë të lojës, falë golave të Asllanit dhe Muçit. Kjo ishte edhe fitorja e pare në ndeshjen e pare zyrtare për teknikun Rolando Maran.

Pas përfundimit të ndeshjes, tekniku italian shprehu kënaqësinë e tij për paraqitjen e lojtarëve dhe mënyrën se si ata zbatuan detyrat e dhëna.

Nuk mund të kishte një fillim më të mbarë se ky. Jam jashtëzakonisht i lumtur me atë që djemtë dhanë në fushën e lojës. Kemi punuar shumë gjatë këtyre ditëve dhe të shohësh këtë lloj impenjimi dhe reagimi është fantastik.

Maran nënvizoi se Shqipëria e kontrolloi takimin dhe se fitorja e arritur ndaj Bjellorusisë ishte tërësisht e merituar.

E dominuam lojën dhe fitorja është plotësisht e merituar. Ky është hapi i parë drejt asaj që duam të ndërtojmë. E prisja që do të ishin 10-15 minutat e para në vështirësi, duke qenë se ishte skuadër që në gjashtë ndeshjet e fundit ka marrë rezultat pozitiv. Kemi arritur të gjejmë zgjidhje, duke u organizuar në mesfushë dhe më pas na ka çuar dhe tek ato hapësira që gjetëm për të shënuar. Morëm masat e duhura pas momenteve të vështirësisë, që më pas na çuan drejt suksesit. Është normale që nuk niset asnjëherë ndeshja në 100% e vet, sidomos për një skuadër të tillë që ka pasur rezultate positive.

Pavarësisht startit pozitiv, trajneri kërkoi përqendrim dhe punë të mëtejshme, duke theksuar nevojën që skuadra të ruajë të njëjtin ritëm në sfidat e ardhshme.

Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë të përmirësohemi me të njëjtin pasion. Sinjal pozitiv që kemi arritur të fitojmë sot. Një fitore e merituar që na çon drejt objektivit që kemi. Ta nisësh mirë një rrugëtim të tillë, ndihmon edhe nga aspekti moral. Skuadra vinte nga një periudhë e vështirë, skualifikimi nga Botërori dhe dy miqësore që nuk patëm kohë për t’u përgatitur. Fitore e merituar dhe sigurisht që jep sinjal pozitiv për objektivin që kemi për të qenë të parët në grup

Me këtë fitore, Shqipëria siguroi tri pikët e para në grup, ndërsa Rolando Maran e nisi në mënyrën më të mirë debutimin e tij në stolin kuqezi.