Aktualitet

Transportonte 5 emigrantë të paligjshëm drejt Tiranës, arrestohet një person në Maliq

Një person është arrestuar në Maliq, pasi dyshohet se transportonte pesë emigrantë të paligjshëm drejt Tiranës, kundrejt pagesës.

Sipas informacioneve paraprake, shtetasi me inicialet Z. B. është kapur në afërsi të fshatit Drithas, në Maliq, duke transportuar pesë emigrantë.

Dyshohet se ai i kishte marrë emigrantët pranë Kapshticës dhe po i transportonte në drejtim të Tiranës, në këmbim të shumave monetare.

Gjatë operacionit, Policia ka sekuestruar automjetin tip Audi që dyshohet se përdorej për transportin e emigrantëve, si dhe disa telefona celularë dhe një sasi parash.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e veprimtarisë së dyshuar.