Emisioni italian “Chi l’ha visto?” ka publikuar një fotografi të shkrepur në Milano, e cila mund të jetë e Rajmonda Kotorrit, vajzës nga Gramshi që u zhduk në Itali kur ishte vetëm 16 vjeçe.
Fotografia u dërgua nga një shikues i emisionit, i cili iu përgjigj apelit të familjes shqiptare, pasi mendon se gruaja e fotografuar ngjan me Rajmondën. Motrat e saj kanë shprehur gjithashtu bindjen se ajo i ngjan nënës së tyre kur ishte e re.
Prej 26 vitesh, familja nuk ka arritur të mësojë asgjë për fatin e Rajmondës. Sipas rrëfimit të motrës së saj, Lauretës, vajza u largua drejt Italisë pasi njohu një burrë që i kishte premtuar martesë dhe një punë të mirë. Prindërit e saj nuk e kishin miratuar martesën, pasi Rajmonda ishte ende e mitur.
Laureta pretendon se burri e mori motrën e saj drejt Italisë kundër dëshirës së familjes, duke falsifikuar dokumentet dhe duke i ndryshuar moshën. Pas largimit, familja arriti të komunikonte me të vetëm disa herë. Gjatë telefonatave, Rajmonda fliste dhe qante, por më pas çdo kontakt u ndërpre.
Familjarët thonë se iu drejtuan autoriteteve shqiptare për ndihmë, por nuk arritën të merrnin informacion për vendndodhjen e saj. Ata dyshojnë se Rajmondës mund t’i jetë ndryshuar edhe emri.
“Prindërit tanë janë të moshuar, të lodhur, por nuk kanë reshtur së kërkuari. Jetojmë prej vitesh me këtë dhimbje. Një vajzë 16-vjeçare, e vetme, çfarë mund të ketë bërë? Nuk mund ta përfytyroj. Nuk mund ta përshkruaj këtë dhimbje”, rrëfen Laureta.



