Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në aktivitetin “Race for the Cure Kosova”, një nismë që synon të rrisë ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit dhe të theksojë rëndësinë e diagnostikimit të hershëm.
Haxhiu theksoi se mesazhi i kësaj ngjarjeje duhet të arrijë tek gratë që kanë shtyrë vizitat mjekësore, kanë frikë nga diagnoza ose hasin pengesa në aksesin ndaj kujdesit shëndetësor që u nevojitet.
Të lidhura
None found
“Kur bëhet fjalë për kancerin e gjirit, koha merr një rëndësi krejt tjetër dhe ne kemi përgjegjësi që gratë të mos e humbin atë duke pritur ose duke u ndeshur me barriera që mund dhe duhet t’i lehtësojmë”, shkroi Haxhiu.
Ajo i nxiti gratë që t’i kryejnë kontrollet pa vonesë dhe u kërkoi që këtë mesazh ta ndajnë me vajzat, nënat, motrat, shoqet dhe koleget e tyre.
“Sepse në këtë garë nuk ka rëndësi kush arrin e para. Ajo që ka vërtet rëndësi është që asnjë grua të mos arrijë shumë vonë”, deklaroi Haxhiu.
