Nuk është momenti për të pushuar. Vetëm pak orë pas fitores 2-0 kundër Bjellorusisë, sot duke nisur nga 11:00, kombëtarja shqiptare ka zhvilluar seancën stërvitore për ndeshjen kundër San Marinos, që zhvillohet të martën në orën 20:45.

Skuadra kuqezi zhvilloi një seancë stërvitore në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, ku programi i punës u përshtat sipas ngarkesës së secilit lojtar. Futbollistët që u aktivizuan në ndeshjen ndaj Bjellorusisë zhvilluan një seancë rikuperimi, ndërsa pjesa tjetër e grupit vijoi me një program të plotë stërvitor, me ushtrime fizike dhe tekniko-taktike, si edhe punë me skema dhe situata të ndryshme të lojës.

Të hënën është parashikuar një tjetër stërvitje e kombëtares, ndërsa pas saj do të niset drejt San Marinos. Në orën 19:00, në San Marino, do të zhvillohet edhe konferenca për shtyp në prag të ndeshjes me trajnerin dhe kapitenin kuqezi.