Edhe pse kalendari shënon vjeshtë, plazhi vijon të frekuentohet nga pushues vendas dhe të huaj, ndërsa moti i qëndrueshëm po favorizon vijimësinë e aktivitetit turistik përgjatë bregdetit. Temperaturat e favorshme dhe ditët me diell po mbajnë pushues në bregdet edhe përtej muajve tradicionalë të verës.
Zgjatja e sezonit po reflektohet pozitivisht edhe te njësitë akomoduese. Përfaqësues të hoteleve përgjatë vijës bregdetare thonë se rezervimet vijojnë, veçanërisht nga turistë të huaj dhe shqiptarë nga Kosova, duke mbajtur aktive strukturat edhe pas përfundimit të pikut veror.
Në plazh, pushuesit thonë se kanë zgjedhur pikërisht këtë periudhë për temperaturat më të buta, më pak ngarkesë dhe qetësinë që ofron bregdeti në vjeshtë.
Vijimësia e rezervimeve edhe gjatë shtatorit tregon se sezoni turistik në Durrës po fiton gradualisht një shtrirje më të gjatë, duke i dhënë frymëmarrje ekonomisë së zonës dhe bizneseve që lidhen drejtpërdrejt me turizmin. Nëse moti do të vijojë të jetë i favorshëm, për shumë prej strukturave hoteliere përgjatë bregdetit, vera duket se këtë vit do të mbyllet vetëm në kalendar. (A2 Televizion)