Dy mjekë neurologë të Spitalit Rajonal të Shkodrës janë vënë nën hetim pas vdekjes së një pacienti 40-vjeçar, i cili fillimisht kishte marrë trajtim në këtë spital dhe më pas u dërgua në QSUT “Nënë Tereza” në Tiranë, ku ndërroi jetë.
Policia ka proceduar në gjendje të lirë mjekët Genc Nurja, 53 vjeç, dhe Dhurata Uruçi, 68 vjeçe. Ata po hetohen për veprat penale “Mjekim i pakujdesshëm” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Sipas policisë, dy mjekët dyshohet se kanë kryer mjekim të pakujdesshëm dhe kanë neglizhuar trajtimin e pacientit gjatë kohës që ai ndodhej në Spitalin Rajonal të Shkodrës.
Pas përkeqësimit të gjendjes, 40-vjeçari është dërguar në QSUT “Nënë Tereza”, ku ka humbur jetën. Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e rastit.


