Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë arrestuar në Tiranë dhe në Rinas, në kuadër të operacionit “The Wanted”, me qëllim ekstradimin e tyre në Itali dhe Kosovë.
Në Tiranë është arrestuar 47-vjeçari E. D., i lindur në Kavajë, i kërkuar nga autoritetet italiane për pjesëmarrje në grup kriminal dhe trafikim të lëndëve narkotike. Gjykata e Bolonjës ka lëshuar në maj të këtij viti një urdhër arresti ndaj tij.
Sipas autoriteteve italiane, gjatë vitit 2020, 47-vjeçari, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se ka marrë pjesë në blerjen, transportimin, importimin, magazinimin dhe mbajtjen e sasive të mëdha të marijuanës, hashashit dhe kokainës, të destinuara për t’u shitur në Itali.
Ndërkohë, në Rinas është arrestuar shtetasi kosovar H. K., 38 vjeç, me qëllim ekstradimin në Kosovë. Ai është dënuar në vitin 2022 nga Gjykata e Apelit e Pejës me 1 vit e 6 muaj burgim për falsifikim të kartëmonedhave.
Sipas autoriteteve të Kosovës, H. K., në bashkëpunim me persona të tjerë, ka tentuar gjatë vitit 2021 të hedhë në qarkullim në Pejë rreth 15 mijë dollarë të falsifikuar.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me autoritetet homologe në Itali dhe Kosovë për përfundimin e procedurave të ekstradimit të dy shtetasve.


