Fluks në shërbimin neuropsikiatrik në Shkodër, faktorët socialë, ekonomikë dhe stresi ndër shtytësit kryesorë

27 Shtator 2026, 14:50Sociale TEMA
Fluks në shërbimin neuropsikiatrik në Shkodër, faktorët

Shërbimi i Neuropsikiatrisë në Poliklinikën e Specialiteteve në Shkodër po përballet me një fluks në rritje të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore. Të dhënat zyrtare flasin për dhjetra vizita ditore pranë këtij shërbimi. Përveç konsulencave ditore, mjekët specialistë thonë se në  rritje janë edhe rastet urgjente si dhe shtrimet spitalore.

“Mesatarisht, këtu marrin shërbime të natyrave nga më të ndryshme mbi 30 pacientë. Ne hasim përditë raste ku në urgjencë paraqiten të sëmurë, edhe sëmundje që kanë një rritje të krizave, rritje të rasteve që paraqiten në urgjencë, rritje të nevojës për shtrimin në spital”, tha Mark Preçi, mjek neuropsikiatër.

Simptomat e pacientët janë nga më të ndryshmet, por në pjesën më të madhe të rasteve mbizotërojnë çrregullimet e ankthit, gjendjet depresive dhe stresi i grumbulluar. Faktorë sociale, ekonomike, si dhe stresi vlerësohen si shtytësit kryesorë që po çojnë në përkeqësimin e shëndetit mendor te grupmoshave të ndryshme.

“Sëmundje kronike, si skizofrenia, depresioni, çrregullimet bipolare apo çrregullimet e ankthit, janë shumë të shpeshta. Por edhe fëmijët kanë problemet e tyre të moshës, por që ata janë ndoshta, mund të them, një kontingjent që janë më shumë nën kujdesin e prindërve apo të kujdestarëve të tyre dhe janë më pak të ndjeshëm nga këto fenomene. Të rriturit dhe të moshuarit janë shumë më të ndjeshëm për shkak të pavarësisë që kanë në lëvizje apo në aksesin që kanë në shërbime, e të tjera, e të tjera”, tha ai.

Specialistët bëjnë thirrje që qytetarët të mos i neglizhojnë simptomat e para të stresit apo ankthit dhe të kërkojnë ndihmë profesionale pa hezituar, për të parandaluar rëndimin e gjendjes shëndetësore. /rtsh

Lini një Përgjigje