Thyen xhamin e supermarketit dhe grabit kasën me para, në pranga 32-vjeçari
Një 32-vjeçar është arrestuar në Vlorë, pasi dyshohet se ka thyer xhamin e derës së një supermarketi dhe ka vjedhur kasën me një shumë parash.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës në një supermarket në lagjen “Bashkimi”. Pas marrjes së njoftimit për vjedhjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë nisën menjëherë hetimet dhe finalizuan operacionin e koduar “Reagimi”.
Nga veprimet hetimore dhe provat e mbledhura, policia bëri të mundur identifikimin dhe lokalizimin e autorit të dyshuar, shtetasit E. B., 32 vjeç, banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan si provë materiale kasën që dyshohet se ishte vjedhur në supermarket.
32-vjeçari u arrestua për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Ndërkohë, policia, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon hetimet për të verifikuar nëse 32-vjeçari është i përfshirë edhe në vjedhje të tjera.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme.

