“Drejtuesit rrëshqasin nga binarët”, Rama: Vlora Hyseni në borxh me shqiptarët

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Këshilli i Sigurisë Kombëtare, i thirrur për nesër, është vendi i duhur për të diskutuar garancitë për mbrojtjen e institucioneve shtetërore kur drejtuesit e tyre bëhen subjekt hetimi.
Rama tha se e ka vlerësuar punën e Vlora Hysenit dhe se emërimi i saj në krye të SHISH erdhi pas referencave që ai i cilësoi si të shkëlqyera. Ai theksoi se hetimi nuk duhet të kthehet në linçim publik, duke shtuar se shoqëria nuk bëhet më e mirë duke “i fryrë këtij zjarri”.
Edi Rama:
Këshilli i Sigurisë i thirrur nesër është vendi i duhur për të diskutuar për garancitë për të mbrojtur institucionet tona, kur drejtuesit rrëshqasin nga binarët dhe bëhen subjekt hetimi. Unë e kam vlerësuar punën e Vlora Hysenit në SHISH. Fillimisht ka nisur të punojë këshilltare pas meje. Pas kësaj, bazuar mbi referencat e shkëlqyera u emërua në krye të SHISH. Nuk vihet në diskutim që ajo ka hapur një llogari me drejtësinë, ka hyrë edhe në borxh moral me këtë vend ku mori besimin. Ky vend nuk bëhet më i drejtë kur personat nën hetim linçohen. As kjo shoqëri nuk bëhet më e mirë kur i fryn këtij zjarri.




