Në adresimin e tij nga Rinasi për arrestin ndaj ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit, Rama u shpreh se hetimi dhe gjykimi i saj janë detyra të drejtësisë, por mbrojtja e institucioneve, është detyrë e shtetit. Këtë të fundit pret ta shohë në Këshillin e Sigurisë që mblidhet nesër në 08:30.
“Kur puna e sjell që hetimi të ngjitet tek kreu i shërbimit inteligjent të vendit, atëherë ky nuk është më problemi i një pushteti të pavarur. Ky është një problem i krejt shtetit dhe prandaj edhe kjo qasje e lëshuar, si pa duar, i ka lënë pa fjalë edhe të gjithë partnerët tanë. Me fjalë të tjera, nuk është me siguri hera e parë në historinë e botës, që shefi i shërbimit sekret merret i pandehur, por është hera e parë në historinë e botës, që institucioni i shërbimit sekret bëhet target kombëtar e ndërkombëtar thashethemesh mediatike, për shkak të mosmarrjes së asnjërës prej masave, që shtetet marrin në një rast kaq fatkeq sa ky.
Që të jemi shumë të qartë: Hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit janë detyrë ekskluzive e drejtësisë. Kjo nuk ha asnjë diskutim. Kurse mbrojtja e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe jo vetëm, nga çdo dëm i panevojshëm kolateral, është detyrë e të gjithë shtetit. As kjo nuk duhet të hajë asnjë diskutim. Ndarja e pushteteve nuk mund të shfaqet kurrësesi si ndarje nga përgjegjësia shtetërore. E këtu rivijmë në fakt tek një pikë që e kemi hasur edhe më parë, prandaj ka ardhur koha ta trajtojmë bashkarisht dhe seriozisht.
Besoj se Këshilli i Sigurisë, thirrur nesër nga Presidenti i Republikës, është vendi i duhur për të reflektuar mbi përgjegjësitë institucionale dhe diskutuar mbi garancitë që duhet t’i mbrojnë institucionet tona, e mbi të gjitha ato të sigurisë kombëtare, kur drejtuesit apo punonjësit e tyre rrëshqasin nga binarët e bëhen subjekt i një hetimi penal. Siç e thashë kur doli masa e arrestit, unë e kam vlerësuar punën e Vlora Hysenit në drejtimin e Shërbimit Informativ. Po njësoj, vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë për punën e saj kanë qenë vijimësisht shumë pozitive", tha kryeministri.
Lajmi kryesor:
Arresti i Hysenit, Rama: Masë ekstreme, por përballë drejtësisë do jetë e vetme! Ekspozimi i SHISH, dëm i madh! Dorëheqje? Asgjë s’më ndal, korrupsioni po goditet (VIDEO)











