“SHISH u bë target kombëtar e ndërkombëtar thashethemesh”, Rama: Në Këshillin e Sigurisë të reflektojmë përgjegjësitë

Nga A2 CNN
27 Shtator 2026, 14:39 | Politikë

“SHISH u bë target kombëtar e ndërkombëtar

Në adresimin e tij nga Rinasi për arrestin ndaj ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit, Rama u shpreh se hetimi dhe gjykimi i saj janë detyra të drejtësisë, por mbrojtja e institucioneve, është detyrë e shtetit. Sipas tij nesër në Këshillin e Sigurisë që mblidhet në 08:30 duhet të refektohen përgjegjësitë.

“Nuk është hera e parë në historinë e botës që shefi i një shërbimi sekret merret i pandehur, por e para që institucioni i shërbimit sekret bëhet target kombëtar dhe ndërkombëtar thashethemesh mediatike për shkak të mosmarrjes së atyre masave që shtetet marrin. Hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit janë detyrë ekskluzive e drejtësisë. Mbrojtja e SHISH dhe jo vetëm, nga çdo dëm i panevojshëm kolateral, është detyrë e gjithë shtetit. Ndarja e pushteteve nuk mund të shfaqet si ndarje nga mbikëqyrja shtetërore. Ka ardhur koha ta trajtojmë bashkërisht dhe seriozisht. Besoj se Këshilli i Sigurisë i thirrur nesër është vendi i duhur për të reflektuar mbi përgjegjësitë institucionale”, u shpreh kryeministri.

Sipas tij të dhënat e dosjes hetimore vërshonin nëpër kanale sociale, para se gjykata të urdhëronte kufizimin e publikimit të tyre.

“Çdo masë kufizimi e lirisë nga organi i akuzës, për cilindo qoftë që s’ka imunitet parlamentar, kundërshtohet vetëm në gjykatë dhe jo me opinion e krye as në foltoren e Kryeministrit. Respekti për pavarësinë e drejtësisë nuk do të thotë heshtje edhe kur një shqetësim parimor shfaqet gjatë veprimtarisë së organeve të saj. Në këtë rast, përveç dhe përtej çështjes penale individuale, ka një fakt tjetër parimor, shtetëror, që nuk mund të anashkalohet sikur s’ka ndodhur. Gjatë marrjes së masës dhe administrimit gjyqësor të dosjes, një institucion me ndjeshmëri të veçantë u ekspozua ndaj potencialit të një dëmi të madh, që mund dhe duhej të ishte parandaluar plotësisht. Të dhënat e dosjes hetimore vërshonin nëpër kanale sociale, para se gjykata të urdhëronte kufizimin e publikimit të tyre.”

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos