
Kryeministri Edi Rama deklaroi se arrestimi i ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, nuk provon se qeveria është e mbërthyer nga korrupsioni, por se drejtësia po vepron dhe po mbështetet nga shumica qeverisëse pavarësisht kostove politike.
"Nuk kam asnjë gjë tjetër për të shtuar por tani kam ende për të thënë për kuptimin politik të këtij zhvillimi pasi edhe këtë herë u ngrit në kupë të qiellit një aktakuzë kundër qeverisë dhe meje personalisht, me refrenin e shfrenuar; na mbyti korrupsioni. Pavarësisht bindjeve dhe kahjes së votës, fakti që drejtësia prek edhe njerëz me funksione të larta, anëtarë të qeverisë e bashkëpunëtore nuk provon se na mbyti korrupsioni apo se po shtohet. Përkundrazi. Faktet se në episodet e këtij kapitulli të ri për Shqipërinë nuk provon asesi që shumica qeverisëse është e korruptuar. Ky fakt, këto episode, kjo drejtësie e re ku kurrë më parë nuk ka pasur një lloj drejtësie të pavarur, ku s’ka pasur kurrë një udhëheqje politike e interesuar për ti dhënë pavarësi apo forcë politike për ta mbështetur atë duke marrë përsipër kostot, provojnë të kundërtën e avazit që na mbyti korrupsioni. Korrupsioni po goditet nuk po rritet. Shumica e qeverisëse është e palëkundur në luftën kundër korrupsionit mbi të gjitha brenda radhëve të saj. Jemi të angazhuar deri në fund, qoftë për reforma qoftë për përballimin e kostove politike që sjell angazhimi kundër korrupsioni i organeve të drejtësisë" tha Rama.
Kryeministri tha se qeveria mbetet e angazhuar në luftën kundër korrupsionit, ndërsa ngriti shqetësimin për rrjedhjen e sekretit hetimor në media, duke e cilësuar atë si një formë linçimi publik të personave nën hetim para se të zhvillohet gjyqi.
“Askush nuk mund të pretendojë që sekretin hetimor ta ruajnë mediat. Problemi nuk nis te zëdhënësit informalë të oborrit të drejtësisë nëpër ekrane. Ata përdoren nga prokurorët dhe gjykatësit për t’i shpallur njerëzit fajtorë pa nisur gjyqi, njësoj si në një diktaturë, ku pasi mbarojnë punë mjetet e propagandës, gjyqi mbetet formalitet. Ky problem, që nis te paligjshmëria e ligjëruar brenda oborrit të drejtësisë, ku sekreti hetimor shpërdorohet për të linçuar, nuk mund të anashkalohet.”
Kryeministri sqaroi gjithashtu se Vlora Hyseni u emërua në krye të SHISH pas punës si këshilltare e tij dhe mbi bazën e referencave pozitive nga shërbime partnere, duke theksuar se çështja e saj tashmë i përket drejtësisë.
“Orvatjet për ta shpjeguar emërimin e Vlora Hyseniy në krye të SHISH-it me lloj-lloj fantazish konspirative s’kanë lidhje me të vërtetën. E vërteta është e thjeshtë. Ka nisur të punojë pranë meje në rolin e këshilltares. Pas një periudhe jo të shkurtër në atë rol, si edhe bazuar në referenca të shkëlqyera të marra nga shërbime partnere, ajo është emëruar drejtuese e SHISH-it. As nuk vihet sot në diskutim se ish-drejtuesja e SHISH-it ka hapur një llogari të vështirë me drejtësinë, veçse ka hyrë në një borxh të madh moral në këtë vend. Por, po ashtu, as nuk diskutohet që ky vend nuk bëhet kurrsesi më i drejtë kur njerëzit e sotëm nën hetim nga prokuroria linçohen në tezgat mediatike, as kjo shoqëri nuk bëhet kurrsesi më e mirë kur i fryn zjarrit të atyre turrave”, tha Rama.
(A2 Televizion)