Aktualitet

Rama për çështjen e SHISH: Hetimi i Vlora Hysenit i takon drejtësisë, mbrojtja e institucionit detyrë e shtetit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për çështjen e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duke theksuar se hetimi dhe gjykimi i saj i takojnë ekskluzivisht drejtësisë.

Rama tha se, në të njëjtën kohë, mbrojtja e SHISH nga çdo dëm kolateral është përgjegjësi e shtetit dhe kërkoi që çështja të trajtohet në Këshillin e Sigurisë të thirrur nga Presidenti.

“Hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit është detyrë ekskluzive e drejtësisë, kjo nuk ka diskutim. Mbrojtja e SHISH nga çdo dëm kolateral të mundshëm është detyrë e gjithë shtetit dhe kjo s’duhet të hapë asnjë diskutim. Ndarja e pushteteve s’mund të shihet si ndarje nga përgjegjësia shtetërore. Ka ardhur koha ta trajtojmë bashkërisht dhe seriozisht. Këshilli i Sigurisë, thirrur njëherësh nga Presidenti, është vendi i duhur për të reflektuar dhe diskutuar mbi garancitë që duhet t’i mbrojnë institucionet tona, kur drejtuesit apo punonjësit rrëshqasin nga binarët dhe bëhen subjekt i një hetimi penal.

Kur doli masa e arrestit, kam vlerësuar punën e Vlora Hysenit. Vlerësimi për punën e saj ka qenë i qartë. E vërteta është e thjeshtë. Fillimisht ka nisur të punojë prej meje si këshilltare, pas një periudhe të shkurtër në atë rol dhe, bazuar në referencat e partnerëve, është emëruar drejtuese e SHISH”, u shpreh Rama.