Në adresimin e tij drejtuar të gjithë shqiptarëve, kryeministri Edi Rama iu përgjigj akuzave se arrestimet dhe procedimet e zyrtarëve të lartë dëshmojnë se vendi është “mbytur nga korrupsioni”. Rama argumentoi se ndodh pikërisht e kundërta: sipas tij, fakti që drejtësia prek ministra, drejtorë dhe kryetarë bashkish tregon se ajo vepron e pavarur nga pushteti politik.

Kryeministri tha se synimi i tij është një Shqipëri anëtare e Bashkimit Europian brenda kësaj dekade dhe me “drejtësi të pavarur” prej tij, ndërsa përballë akuzave të opozitës solli si kundërshembuj 21 Janarin dhe Gërdecin, duke treguar e në të kaluarën drejtësia pengohej nga pushteti.

" E pikërisht për historinë, për emrin, për Shqipërinë, unë e dua këtë vend me kokën lart, me flamurin sa më lart, të barabartë mes të barabartësh, në tryezat më të larta. E dua në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade, me shtet ligjor e me drejtësi të pavarur prej meje dhe prej çdo qeverie e kryeministri pas meje. Prandaj sot, kur më ka ndalur në këtë sallë, me të zbritur pikërisht tema e drejtësisë dhe kur të gjithë kundërshtarët e mi, që nga ata të përdalët e rrugëve opozitare e deri te dështakzemërakët e ish-rrugëve qeveritare, kujtojnë se kanë shpikur “bombën çudibërëse” që do hedhë përtokë Ramën, “Korrupsion - Korrupsion - Korrupsion, na mbyti korrupsioni”, dua të jem shumë i qartë me ju të gjithë:

Le ta hedhin atë bombë mëngjes, drekë dhe darkë në ekranet televizive e le ta shpërthejnë orë e çast në pasqyrat sociale, a thua se përsëritja si në jerm e një fjale të ndyrë me zë të lartë, do të mund ta zhbëjë pastërtinë e luftës sime të gjithanshme, e cila duan s’duan ata që s’duan, i riktheu këtij vendi kryeqytetin e varrosur nën plehra dhe prej një dekade po transformon Shqipërinë dhe ringre shtetin shqiptar.

Dhe sado ta përsërisin, “Korrupsion - Korrupsion - Korrupsion, na mbyti korrupsioni”, e vërteta eshtë se në asnjë vend të mbytur në korrupsion, nuk ka luftë frontale kundër korrupsionit. Ka vetëm bashkëjetesë harmonike me korrupsionin.

Në asnjë vend të mbytur në korrupsion, prokuroria nuk heton njerëzit e veshur me pushtet. I mbron ata. Në asnjë vend të mbytur në korrupsion, drejtësia nuk prek ministra, ish ministra, deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë apo njerëz të lidhur me shumicën qeverisëse, po vetëm rri  dhe pret urdhrin e pushtetit për të goditur kundërshtarët e tij.

Vendin e mbytur në korrupsion dhe padrejtësi e kemi jetuar të gjithë. E kemi jetuar të gjithë, vendin ku kryetari i opozitës burgosej me urdhër politik nga lart. E kemi jetuar të gjithë, vendin ku protestuesit vriteshin me plumbat e paguar nga taksapaguesit për të mbrojtur atdheun, jo për të marrë jetën e shoshoqit.  E kemi jetuar të gjithë, vendin ku fletë-thirrjet e prokurorisë për përgjegjësit për vrasjet shtetërore, bëheshin letra higjenike për zyrën e kryeministrit, i cili e denigronte publikisht prokuroren e përgjithshme si lavire bulevardi, vetëm e vetëm pse ajo tentonte të bënte sadopak punën e vet.

E kemi jetuar të gjithë, vendin ku drejtori i taksave të republikës qëndronte në krye të detyrës nga arresti shtëpiak dhe ku 26 të vrarë të pafajshëm në shpërthimin e një projekti korruptiv të ministrisë së mbrojtjes, u trajtuan si 26 viktima të një fatkeqësie natyrore. E di që edhe sot e gjithë ditën ata katër të vrarë në bulevard nuk kanë marrë ende drejtësi", tha Rama.


Lajmi kryesor:

Arresti i Hysenit, Rama: Masë ekstreme, por përballë drejtësisë do jetë e vetme! Ekspozimi i SHISH, dëm i madh! Dorëheqje? Asgjë s’më ndal, korrupsioni po goditet (VIDEO)