Kryeministri Edi Rama deklaroi se koha e pandëshkueshmërisë në Shqipëri ka marrë fund në mënyrë të pakthyeshme. Duke folur për reformën në drejtësi, Rama tha se ajo ishte një vendim politik i marrë nga ai dhe Partia Socialiste, ndërsa theksoi se sot sistemi i drejtësisë po shfaq aftësi vetëpastrimi.
Rama tha se reforma nënkuptonte dorëzimin e pushtetit mbi drejtësinë nga politika te një sistem gjyqësor i pavarur.
“Koha kur në këtë vend drejtësia ishte një derë e mbyllur sa herë trokiste e drejta dhe e hapur kur e keqja donte të ulej këmbëkryq për pazar, nuk vjen më. Nuk kthehet më koha kur pushteti politik dhe pandëshkueshmëria ishin e njëjta gjë.
Ka ikur ajo kohë sepse unë dhe PS i hymë detit me këmbë dhe morëm përsipër reformën më të thellë dhe të dhimbshme, aktin e dorëzimit të shpatës së drejtësisë nga duart e pushtetit politik në duart e drejtësisë së çliruar dhe të pavarësuar.
E bëra unë, jo se isha naiv, as se nuk e dija që do të kërkonte koka, por sepse ishte imja, jona barra e asaj sakrifice të madhe politike. Sot, për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, është vetë sistemi që po shfaq aftësi vetëpastrimi që s’i ka pasur kurrë.
Kjo është arritje e madhe, autopsinë e së cilës nuk e negocioj me askënd. Pavarësia e drejtësisë nuk ra nga qielli, nuk e solli as koha, as SHBA dhe as Europa. Ata ndihmuan, por pa ne do të kishin bërë një Noc Rrok.
Nuk e solli pavarësinë e drejtësisë sorrat e korbat që bërtasin ‘korrupsion’ dhe shikojnë SPAK-un si armë kundër meje, që i kam mundur dhe i mund në çdo zgjedhje sa herë u bie mendja se më zunë ngushtë dhe më bënë gropën.
Nuk është mundja e tyre ajo që më prish gjumin dhe as fryrja e pulëkakarisja e tyre. Kjo lidhet me çfarë po ndodh, me korrupsionin dhe drejtësinë”, tha Rama.


