Teksa pritej me interes reagimi i parë publik i kryeministrit Edi Rama mbi çështjen SHISH nga Rinasi, ku ai sapo mbërriti nga SHBA-të, skena iu rezervua Sali Berishës, i cili për rastësi u shfaq në aeroportin ndërkombëtar Nënë Tereza.

Nga ajo që Report Tv mësoi, kreu i PD-së, u nis drejt Strasburgut, për të marrë pjesë në punimet e këshillit të Evropës, që nisin zyrtarisht të hënën e 28 shtatorit deri me 2 tetor.

Këtë përplasje në aeroport, ish-deputeti Ervin Salianji nuk e sheh aq naive. Ai aludon se mes Ramës e Berishës ka pasur një takim në aeroport, para se kryeministri të bënte mesazhin publik, dhe kreu i PD-së të merrte fluturimin, me të njëjtën kompani që shefi i qeverisë erdhi tranzit nga Frankfurti.

“Sali Berisha ka detyrimin politik dhe moral të bëjë publike çfarë është biseduar me Edi Ramën në aeroport. Çfarë u diskutua? A u tërhoq Edi Rama nga dorëheqja pas kësaj bisede? A u diskutuan garanci të ndërsjella për paprekshmërinë e njëri-tjetrit? A pati ndonjë marrëveshje për të mbajtur Shqipërinë peng të një skeme të vjetër politike?”, ngre dyshime Salianji, duke kujtuar se kjo është hera e dytë që dy liderët gjenden njëkohësisht tek pjesa VIP e aeroportit.

“Shqipëria nuk mund të mbahet peng nga marrëveshje të fshehta, pazare politike apo garanci personale”, thekson ai.

Nga selia blu, kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazmend Bardhi, e quajti shmangie nga llogaridhënia, faktin që kryeministri foli për çështjen më të nxehtë të momentit me mesazh të regjistruar dhe jo në konferencë me gazetarët.

“Përballë akuzave të rënda për lidhje mes pushtetit, krimit të organizuar dhe kapjes së shtetit, Shqipëria ka nevojë për përgjigje, transparencë dhe llogaridhënie. Kur një kryeministër fshihet nga përballja, qytetarët kanë të drejtë të pyesin: çfarë po përpiqet të fshehë?”, theksoi Bardhi.

Në emër të partisë Lirisë, kreu i grupit, Tedi Blushi, në një reagim, akuzoi kryeministrin Edi Rama se drejton organizatën kriminale që sipas tij nga marrë peng shtetin, ndaj zgjidhja për të, është dorëheqja.

“Shporrja, dhe vetëm shporrja, është e vetmja zgjidhje që duhet ta marrin në dorë shqiptarët! Ky është i vetmi ilaç për shpëtimin e Republikës, të marrë peng nga një i sëmurë mendor, kleptoman dhe mafioz i pandreqshëm”, theksoi Blushi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:17
Mesazhi i Ramës për shqiptarët nga Rinasi, Tabaku: Shqipëria vuan nga 'republika e të korruptuarve' që besojnë se ligji është vetëm për të tjerët

1790409494_joridatabaku.jpg

Foto: Jorida Tabaku

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku pas mesazhit të kryeministrit Edi Rama nga Rinasi pas hetimeve të SPAK për ish kreun e SHISH ka reaguar në një postim në X.

Sipas saj Shqipëria vuan nga një republikë e të korruptuarve që besojnë se ligji është vetëm për të tjerët dhe besojnë se drejtësia duhet të ndalet te dera e tyre.

“Shqipëria nuk vuan nga një “republikë prokurorësh”; ajo vuan nga një republikë e të korruptuarve që kanë grumbulluar aq shumë pushtet, pasuri dhe arrogancë, sa besojnë se ligji është vetëm për të tjerët dhe se drejtësia duhet të ndalet te dera e tyre”, shkruan Tabaku në X.

Ora 16:09
Blushi pas mesazhit të Ramës për 'SHISH': Kryeminstri drejton organizatën kriminale që ka marrë peng të gjithë shtetin! Shporrja, është e vetmja zgjidhje

1790246687_tediblushi.JPG

Foto: Tedi Blushi

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar në rrjete sociale pas mesazhit të kryeministrit Edi Rama nga Rinasi pas hetimeve të SPAK për ish-kreun e SHISH, Vlora Hyseni. Sipas pretendimit të Blushit, kreu i qeverisë është njeriu që drejton me gjakftohtësi organizatën kriminale që ka marrë peng të gjithë shtetin.

Blushi pretendon se Rama, më 7 dhjetor 2016, firmosi dhënien e bonusit prej 8% të pikëve për kompaninë Integrated Energy BV sh.p.k., duke theksuar se kjo kompani nuk ekzistonte në momentin e firmosjes.

Për inceneratorin e Elbasanit, ai thotë se Rama firmosi vijimin e negocimit pa shpallje të kontratës koncesionare edhe pasi ishte njoftuar për paligjshmërinë e kësaj procedure.

Postimi i plotë:

Edi Rama vërtetoi sot jo vetëm kartelën e tij klinike, por edhe papërgjegjshmërinë e një kleptomani dhe arrogancën e një banditi, që drejton me gjakftohtësi organizatën kriminale, që ka marrë peng të gjithë shtetin, me Gysët dhe Ronët e tij.

Ky mashtrues i pacipë, që sfidoi sot këdo duke pretenduar se nuk ekziston asnjë vendim apo firmë e tij në shkelje të ligjit, ja ku i ka dy gjurmë, që ulërasin në dritën e diellit.

 1. Edi Rama, në kundërshtim me çdo ligj në fuqi, më 7.12.2016 firmosi dhënien e bonusit prej 8% të pikëve kompanisë Integrated Energy BV sh.p.k. për procedurën konkurruese për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Por, në fakt, kjo kompani NUK EKZISTONTE në momentin kur Kryeministri firmosi bonusin që e favorizonte atë në procedurën konkurruese.

2. Edi Rama ka firmosur, në kundërshtim me ligjin “Për koncesionet dhe Partneritetin Publik/Privat”, për negocimin pa shpallje të kontratës koncesionare për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, edhe pasi Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi, ishte njoftuar zyrtarisht nga Drejtori i Agjencisë së Prokurimeve Publike, z. Eduard Ahmeti, se procedura e përzgjedhur për dhënien e këtij koncesioni (negocimi pa shpallje) ishte e paligjshme.

Askush të mos lodhet duke pritur dorëheqjen e tij dhe as të mos ngjiret me kërkesën për largimin e vullnetshëm të tij nga pushteti.

Asnjë hajdut nuk vjedh për t’ia dorëzuar më pas plaçkën policisë.

Asnjë bandit nuk vetëndalet me ndërgjegje në kriminalitetin e vet.

 Shporrja, dhe vetëm shporrja, është e vetmja zgjidhje që duhet ta marrin në dorë shqiptarët!

Ky është i vetmi ilaç për shpëtimin e Republikës, të marrë peng nga një i sëmurë mendor, kleptoman dhe mafioz i pandreqshëm!

Ora 15:58
Rama mbërriti nga SHBA, Berisha u nis drejt Strasburgut! Salianji ngre dyshime për marrëveshje të fshehtë tek salla 'Vip' në Rinas

1790518385_1783941393ervinsalianji.jpg

Përmes një postimi në rrjete sociale ish anëtari i PD-së Ervin Salianji hodhi sot dyshime mbi një takim të mundshëm mes Sali Berishës dhe Edi Ramës në aeroportin 'Nënë Tereza' ditën e sotme, ndërsa të gjithë shqiptarët po prisnin kthimin e Ramës nga New York ku ndodhej për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB--së dhe deklaratën e paralajmëruar të kreut të qeverisë pas situatës së krijuar në vend nga shkarkimi dhe arrestimi i ish kreut të SHISH Vlora Hyseni. 

Pak para se Rama të mbërrinte në Rinas, në aeroport mbërriti Sali Berisha i cili është nisur drejt Strasburgut për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. 

Për Ervin Salianjin, godina e aeroportit, specifikisht pjesa VIP e aeroportit,  shërbeu si vend bisede mes të dy politikanëve ndaj ai i bëri thirrje Sali Berishës që të bëjë publike bisedën dhe shtroi pyetjen nëse Rama hoqi dorë nga dorëheqja pas kësaj bisede me Berishën. 

Në thelb të reagimit të tij, Salianji ngriti shqetësimin për një marrëveshje mes Berishës dhe Ramës për të mbajtur vendin peng. 

"Edi Rama duhet të largohet me forcën e qytetarëve të bashkuar, në sheshe dhe në rrugë. Çdo orë më shumë në pushtet është një orë më shumë shërbim ndaj kapjes së shtetit, grupeve të krimit të organizuar dhe shkatërrimit të institucioneve. Rama nuk i njeh rregullat e demokracisë. Prandaj qytetarët duhet t’ia bëjnë të qartë se pushteti nuk është pronë personale dhe Shqipëria nuk është peng i askujt. Por sot ka edhe një pyetje që kërkon përgjigje të qartë: Sali Berisha ka detyrimin politik dhe moral të bëjë publike çfarë është biseduar me Edi Ramën në aeroport. Çfarë u diskutua? A u tërhoq Edi Rama nga dorëheqja pas kësaj bisede? A u diskutuan garanci të ndërsjella për paprekshmërinë e njëri-tjetrit? A pati ndonjë marrëveshje për të mbajtur Shqipërinë peng të një skeme të vjetër politike? Janë pyetje që qytetarët kanë të drejtë t’i bëjnë dhe që kërkojnë transparencë pasi u bë hera e dytë “që rastesisht” tek pjesa VIP e aeroportit gjendet Rama dhe Berisha njëkohësisht. Shqipëria nuk mund të mbahet peng nga marrëveshje të fshehta, pazare politike apo garanci personale" tha Salianji. 

Ora 13:42
‘Xing’ në aeroportin e Rinasit, Rama kthehet nga SHBA, Berisha udhëton drejt Strasburgut (VIDEO)

Ndërsa vetëm pas pak pritet fjala e kryeministrit Rama nga aeroporti i Rinasit, aty ka mbërritur edhe kreu i PD, Sali Berisha.

Burime për Report Tv mësojnë se Berisha do të udhëtojë në Strasburg si pjesë e delegacionit të përhershëm për të ndjekur punimet e Këshillit të Europës që nisin të hënën. Ai do të shoqërohet nga Albana Vokshi, ndërsa nga ana e mazhorancës pjesë e delegacionit do të jetë Ogerta Manastirliu, Iris Luarasi e Olta Xhaçka.

Gjatë periudhës nga 28 shtator deri më 2 tetor 2026 në Strasburg, punimet e Këshillit të Evropës përqendrohen në sesionin plenar të vjeshtës të Asamblesë Parlamentare (PACE).Ky sesion mbledh parlamentarë nga të gjitha shtetet anëtare për të diskutuar dhe votuar mbi çështje kyçe të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës në kontinent.