Rama: E përsëris, unë mund të kem fajet e mia me siguri, nuk jam ëngjëll e as i pagabueshëm nuk jam jo e jo…
Kryeministri Rama ndër të tjera theksoi se ” E përsëris, unë mund të kem fajet e mia me siguri, nuk jam ëngjëll e as i pagabueshëm nuk jam jo e jo. Por faji që me siguri absolute nuk kam bërë kurrë, është që të tregtoj për para a për prona, pushtetin që shqiptarëve ua kam kërkuar për të rilindur Tiranën e pastaj edhe Shqipërinë.
Kush më njeh e di mirë çfarë flas.
Kush ka përfituar të drejta kushtetuese zhvillimi të pronës a mundësi të ligjshme investimi, edhe falë firmës sime, e di po aq mirë se çfarë flas.
E di mirë çfarë flas po ashtu, kur ju them se pushteti im s’është përdorur kurrë për të dhënë favore të errëta apo për të marrë dhurata të paligjshme.
Sot në kryeministrinë e Republikës së Shqipërisë, ka një muze të dhuratave që merr kryeministri.
Atyre pisanjosëve me kostum parlamentar apo me sqep sorrash e korbash në vend të buzëve, të cilët ndër plot jashtëderdhjet e tyre në mexhelisin e Shqipërisë, kanë nxjerrë edhe një orë super të shtrenjtë, që unë e paskesha marrë dhuratë nga krimi i organizuar, u them se në atë muze ka thuajse një duzinë orash të shtrenjta e super të shtrenjta, të cilat më janë dhuruar mua, personalisht, jo nga kriminelë po nga miq të fuqishëm a vizitorë shumë të nderuar.
Por ndryshe nga paraardhësi im, që i ka përlarë të tëra bashkë, me tërë dhuratat e tjera të tetë viteve të tij në zyrën e kryeministrit, unë i kam regjistruar të gjitha dhuratat për kryeministrin si prona të shtetit shqiptar. Sepse çfarë vjen për mua si kryeministër dhe çfarë më takon të kem si kryeministër, nuk vjen as për ta çuar në shtëpinë time, as për ta pasur edhe për veten time.
Prandaj për shembull privatisht unë udhëtoj gjithnjë njësoj si çdo shqiptar tjetër ose prandaj fjala vjen, makina ime merret me qera nga partia, nuk blihet nga kryeministria, përderisa përdoret edhe për udhëtime partie e jo vetëm qeverie.
Prapë e them, sinqerisht, me siguri unë i kam fajet e mia dhe në 28 vitet e 4 muajt e shërbimit tim publik, mund të kem bërë madje shumë më tepër gabime se sa ato jo pak që unë i di vetes.
Por kurrë, asnjëherë, paraja, pronat apo favoret e çfarëdolloji kundër ligjit, nuk e kanë përkulur dot bindjen time se në këtë rrugë, unë jam për të dhënë jo për të marrë. Jam për të lënë emrin, jo për të fryrë xhepin. Jam për të bërë histori, jo për të bërë pasuri. Jam për të transformuar Shqipërinë, jo deformuar vetveten.
E pikërisht për historinë, për emrin, për Shqipërinë, unë e dua këtë vend me kokën lart, me flamurin sa më lart, të barabartë mes të barabartësh, në tryezat më të larta.
E dua në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade, me shtet ligjor e me drejtësi të pavarur prej meje dhe prej çdo qeverie e kryeministri pas meje.
Prandaj sot, kur më ka ndalur në këtë sallë, me të zbritur pikërisht tema e drejtësisë dhe kur të gjithë kundërshtarët e mi, që nga ata të përdalët e rrugëve opozitare e deri te dështakzemërakët e ish-rrugëve qeveritare, kujtojnë se kanë shpikur “bombën çudibërëse” që do hedhë përtokë Ramën, “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni”, dua të jem shumë i qartë me ju të gjithë:
Le ta hedhin atë bombë mëngjes, drekë dhe darkë në ekranet televizive e le ta shpërthejnë orë e çast në pasqyrat sociale, a thua se përsëritja si në jerm e një fjale të ndyrë me zë të lartë, do të mund ta zhbëjë pastërtinë e luftës sime të gjithanshme, e cila duan s’duan ata që s’duan, i riktheu këtij vendi kryeqytetin e varrosur nën plehra dhe prej një dekade po transformon Shqipërinë dhe ringre shtetin shqiptar.
Dhe sado ta përsërisin, “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni”, e vërteta eshtë se në asnjë vend të mbytur në korrupsion, nuk ka luftë frontale kundër korrupsionit. Ka vetëm bashkëjetesë harmonike me korrupsionin.
Në asnjë vend të mbytur në korrupsion, prokuroria nuk heton njerëzit e veshur me pushtet. I mbron ata.
Në asnjë vend të mbytur në korrupsion, drejtësia nuk prek ministra, ish ministra, deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë apo njerëz të lidhur me shumicën qeverisëse, po vetëm rri dhe pret urdhrin e pushtetit për të goditur kundërshtarët e tij.
Vendin e mbytur në korrupsion dhe padrejtësi e kemi jetuar të gjithë.
E kemi jetuar të gjithë, vendin ku kryetari i opozitës burgosej me urdhër politik nga lart.
E kemi jetuar të gjithë, vendin ku protestuesit vriteshin me plumbat e paguar nga taksapaguesit për të mbrojtur atdheun, jo për të marrë jetën e shoshoqit.
E kemi jetuar të gjithë, vendin ku fletë-thirrjet e prokurorisë për përgjegjësit për vrasjet shtetërore, bëheshin letra higjenike për zyrën e kryeministrit, i cili e denigronte publikisht prokuroren e përgjithshme si lavire bulevardi, vetëm e vetëm pse ajo tentonte të bënte sadopak punën e vet.
E kemi jetuar të gjithë, vendin ku drejtori i taksave të republikës qëndronte në krye të detyrës nga arresti shtëpiak dhe ku 26 të vrarë të pafajshëm në shpërthimin e një projekti korruptiv të ministrisë së mbrojtjes, u trajtuan si 26 viktima të një fatkeqësie natyrore.
E di që edhe sot e gjithë ditën ata katër të vrarë në bulevard nuk kanë marrë ende drejtësi.
E di gjithashtu, e di që çke me të , që me paratë e fabrikës së vdekjes në Gërdec u financua nga fajtorët e pahetuar ende gjermësot, ngritja e një lavatriçeje mediatike që kurdis sot e gjithë ditën ato “bombat çudibërëse” anti-qeveri, “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni”.

